Objekti i Klinikës së Gjinekologjisë. Foto: KALLXO.com

QKUK Jep Detaje për Zjarrin në Klinikën e Gjinekologjisë

Zjarrfikësit, Policia si dhe ekipet tjera të sigurimit të QKUK-së kanë ndërhyrë sot rreth mesdite në Klinikën e Gjinekologjisë pasi aty kishte shpërthyer një zjarr.

Zyra për informim e QKUK-së tha së përveç intervenimeve dhe djegies së një tavoline nuk ka të lënduar në njerëz.

“Rreth orës 11:50, në repartin intensiv të Klinikës Obstetrike Gjinekologjike është  njoftuar se nga  një Intra tavolinë ka filluar të dalë tym. Menjëherë ekipet kujdestare kanë ndërmarrë masat e nevojshme duke bërë sigurimin dhe evakuimin e pacienteve dhe foshnjave që ndodheshin në atë hapësirë”, thuhet në njoftim.

Si hap i parë menjëherë janë tërhequr 2 bebe dhe 3 nëna, pra janë bartur në një repart tjetër në vend të sigurt, theksohet në komunikatën e Zyrës për Informim të QKUK-së.

Komunikata thekson se reparti pritet t’i kthehet punës normale gjatë ditës së sotme.

“Menjëherë janë ftuar ekipi i sigurimit fizik, ekipi i zjarrfikësve QKUK dhe Policia e Kosovës. Pas evakuimit të nënave dhe foshnjave aparati në fjalë është ndezur dhe ekipet e zjarrfikësve kanë shuar zjarrin e lokalizuar tek ai aparat. Janë marrë të gjitha masat e nevojshme për rikthim të shpejtë në punë të këtij reparti dhe nuk ka pasur dëme të tjera, përveç djegies të një intra tavoline. Ekipet e policisë dhe shërbimeve teknike kanë bërë ekzaminimet e nevojshëm që kërkohet në rastet e tilla”, thuhet në njoftimin e QKUK-së.