QKSS: FSK-ja Mund të Zhvillohet edhe pa Transformim

Hulumtuesi i kësaj qendreje Skënder Perteshi gjatë paraqitjes së hulumtimit në lidhje me integritetin e institucioneve të sigurisë, tha se FSK-ja është gati për transformim.

“Është duke hezituar Lista Serbe, por nuk mendoj se duhet me u blloku pse nuk votohet në kuvend të Kosovës, kur Kushtetuta nëse nuk e lejon direkt për të transformuar FSK-në në Forca të Armatosura, atëherë mundet me u zhvillu FSK-ja edhe pa ndryshime kushtetuese në përgjithësi,” tha Perteshi.

Ai shtoi edhe se menaxhimi financiar për Forcën e Sigurisë së Kosovës mbetet një sfidë.

“MFSK-ja shpenzon shumicën e buxhetit në pjesën e fundit të vitit, apo mbi gjysma e pagesave vjetore  për mallra dhe shërbime si dhe investime kapitale kryhen në muajin dhjetor, çka e bën shumë sfiduese mbikëqyrjen e shpenzimit dhe kontrollit të fondeve publike,” tha Perteshi.

Plator Avdiu, hulumtues nga po e njëjta organizatë, tha se edhe pse Policia e Kosovës gëzon besueshmëri të lartë, ka parregullsi në këtë institucion në lidhje me gradimin.

“Sa u takon burimeve njerëzore, një problematikë është gradimi që bëhet brendapërbrenda Policisë së Kosovës. Në kuadër të monitorimit është vërejtur se ka pasur disa parregullsi te gradimi të cilat janë evidentuar nga Inspektorati I Policisë së Kosovës,” tha Avdiu.

Për IPK-në, Avdiu tha se duhet ta bëjë testin e integritetit për zyrtarët policorë.

“Inspektorati policor duhet të zhvillojë edhe më shumë etikën profesionale të institucionit të policisë, të zyrtarëve policorë. Duhet të insistojë edhe më shumë që në bashkëpunim me prokurorët të fillojë të bëjë testin e integritetit për zyrtarë policorë,” tha Avdiu.