Qeverisja po Ecë në Drejtim të Gabuar, Thotë Hulumtimi i UNDP-së

Më shumë se gjysma e qytetarëve të anketuar besojnë se situata në Kosovë nuk po shkon drejt përmirësimit.

Ndërkaq ndër problemet më të theksuara në vend konsiderohen Korrupsioni dhe papunësia.

Programi për Zhvillim i Shteteve të Bashkuara (UNDP) ka prezantuar botimin special të raportit  ‘Pulsi publik mbi korrupsionin ’ të bazuar në anketimin e qytetarëve dhe përfaqësuesve të institucioneve në Kosovë.

Petrit Skenderi në prezantim të raportit thekson se nuk ka shumë dallime në mendimet e qytetarëve nga raporti i kaluar.

“Pothuaje 60 për qind të të anketuarve mendojnë se gjërat në Kosovë po shkojnë në drejtimin e gabuar. Ndër problemet me të cilat ballafaqohet Kosova sipas të anketuarve korrupsioni është shumë i lartë , i dytë në listë pas papunësisë”, tha Skenderi.

Sipas Skenderit, popullsia e anketuar për këtë raport gjithashtu mendojnë se niveli i korrupsionit është rritur në 12 muajt e fundit dhe besimi i tyre në organet e drejtësisë ka rënë.

Në anën tjetër nga anketat e të punësuarve në sektorin publik ka dalë se ata mendojnë që problemet më të theksuara  të shërbimit civil janë  nepotizmi dhe ryshfeti.

“Në kuptim të perceptimit të korrupsionit në mesin e punonjësve të sektorit publik, shumica e zyrtarëve në të dy nivelet e qeverisjes janë të mendimit se shërbimi civil i Kosovës është i mbushur me “nepotizëm, favorizime dhe patronazh”, “ushtrim të ndikimit” dhe “përvetësim (duke përfshirë edhe vjedhje të kohës – duke mos i punuar orët e nevojshme), vjedhje dhe mashtrime”, thuhet në raportin e UNDP-së.

Anketat  kanë  përfshirë 1 mijë e 300 të qytetarë dhe 500 intervista me shërbyes civil prej të cilëve 276 nga niveli qendror dhe 224 nga niveli lokal.