Ndërtesa e Komunës së Deçanit - Foto: KALLXO.com

Qeverisja e Re me Drejtorë të ‘Vjetër’

Drejtorët e mandatit të kaluar të Komunës së Deçanit do të vazhdojnë punën edhe në qeverisjen e re.

Kjo për shkak se kryetari i ri i Komunës, Bashkim Ramosaj, ka vendosur t’i mbajë të njëjtit njerëz në pozita drejtuese sikur paraardhësi i tij, Rasim Selmanaj.

Ramosaj dje ka bërë të ditur emrat e drejtorëve të drejtorive komunale të Deçanit për katër vitet e ardhshme.

Të gjithë drejtorëve të mandatit të kaluar u është vazhduar mandati edhe për katër vite.

I vetmi ndryshim krahas qeverisjes së kaluar është se drejtor i Administratës do jetë Jashar Dobraj, që mandatin e kaluar ishte kryesues i Asamblesë Komunale.

Drejtor i Administratës mandatin e kaluar ishte kryetari i tashëm i Komunës.

Kështu, Nasim Haradinaj sërish do jetë drejtor i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

KALLXO.com raportoi se emërimi i nënkryetarit të OVL-UÇK-së si drejtor i Drejtorisë komunale të Deçanit bie ndesh me statutin e OVL-UÇK-së.

http://kallxo.com/statuti-i-ovl-te-uck-se-ndalon-emerimin-e-haradinajt-drejtor/

Edhe këtë mandat, Izet Zenuni, do jetë drejtor i Drejtorisë për Mbrojte Shpëtim dhe Shërbime Publike, ndërsa Qazim Maloku, do vazhdojë si drejtor i Drejtorisë për Arsim.

Ndaj Malokut po zhvillohet proces gjyqësor në Gjykatën Themelore të Pejës, pas aktakuzës se ngritur për keqpërdorim të detyrës zyrtare nga Prokuroria Themelore e Pejës.

Ramë Melajt i është besuar sërish pozita e drejtorit të Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor.

Drejtor i Drejtorisë se Inspektoratit do vazhdojë të jetë Halil Tolaj, njëjtë sikurse Betim Mataj drejtor i Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik.

Pozita të njëjtat këtë mandat do kenë edhe drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Faik Doda, Ibrahim Selmanaj, drejtor i Drejtorisë  për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale dhe Agron Muslijaj, drejtori i Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër.

E vetmja drejtoreshë e emëruar nga kryetari Ramosaj është Syzana Mustafaj- Cenaj, e cila do ta drejtojë Drejtorinë për Buxhet dhe Financa.

Po ashtu edhe shefe e protokollit është zgjedhur të jetë Dafina Cacaj.

Edhe pozitën e nënkryetarit të Komunës sërish do e mbajë Sami Cacaj.