Qeveria e Kosovës | Foto: Zyra e Kryeministrit

Qeveria Reagon për Incidentin mes Deputetëve

Qeveria e Kosovës me anë të një deklarate reagoi pas incidentit mes deputetëve të Vetëvendosjes e Nismës Frashër Krasniqi e Milaim Zeka.

Në deklaratë thuhet se Kryeministri Haradinaj dhe qeveria e drejtuar prej tij incidentin në studiot e Klan Kosovës e ka pritur me shqetësim.

Qeveria më tutje e ka quajtur incidentin agresion ndaj deputetit Milaim Zeka, partia e të cilit- Nisma është pjesë e kabinetit qeveritar.

“Qeveria e dënon ashpër këtë akt të shëmtuar i cili ashiqare dëshmoi agresionin e pashembullt të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje!, Frashër Krasniqi ndaj Milaim Zekës, po ashtu deputet i Kuvendit të Kosovës”, thuhet në deklaratën e qeverisë.

Më tutje, sipas deklaratës, Haradinaj dhe qeveria u bëjnë thirrje qytetarëve, zyrtarëve të shtetit dhe përfaqësuesve të popullit që të kursehen nga përdorimi i diskursit të dhunshëm, njëherësh të debatojnë në mënyrë të qytetëruar për të gjitha çështjet, duke shmangur dhunën dhe agresionin”.

Në një debat mes Frashër Krasniqit e Milaim Zekës të shoqëruar me fyerje të dyanshme e polemika, sipas pamjeve gjërat eskaluan kur Krasniqi hodhi ujë drejt Zekës, ndërsa më pas Zeka ia kthu në të njëjtën mënyrë.

Pastaj në një moment rasniqi u pa të ngrihet nga karrigia e studios për të nisur sulmin fizik ndaj Zekës.

Qeveria në fund u bën thirrje organeve të drejtësisë që të zbardhin këtë rast në mënyrë të paanshme.

“Qeveria e Kosovës u bën thirrje organeve të drejtësisë që të merren me këtë rast në mënyrë meritore, duke ndarë drejtësinë në mënyrë të paanshme”, thuhet në deklaratë.

Policia sot pas incidentit tha se do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për hetimm të këtij incidenti.