Kryeministri Isa Mustafa dhe kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri - Foto: ZKM

Qeveria Premton Përkrahje për Mitrovicën

Qeveria e Kosovës do ta përkrahë Mitrovicën si një komunë më specifike në përmbushjen e detyrave dhe ngritjen e kapaciteteve në mënyrë që këto dy institucione të jenë më efikase në obligimiet ndaj qytetarëve.

Kështu premtoi kryeministri Isa Mustafa në një takim që pati me të parin e Mitrovicës Jugore, Agim Bahtirin.

“Biseduam  për përkrahjen që Qeveria e Republikës së Kosovës do t’i jap Komunës së Mitrovicës, e cila është Komunë specifike e ngarkuar edhe me një pjesë të qytetarëve që më parë kanë jetuar në pjesën veriore por që tani jetojnë në këtë pjesë dhe janë shpenzime suplementare për Komunën, qoftë në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe në fushat tjera komunale, për çfarë në mënyrë specifike do të gjejmë zgjidhje të përbashkët”, theksoi kryeministri Mustafa sipas një komunikate të Qeverisë.

Shefi i Qeverisë vizitoi qytetin e Mitrovicës i shoqëruar nga ministri i Financave, Avdullah Hoti dhe ai i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.

Përveç ndërtimit të Zonës Ekonomike, që do të ndihmojë punësimin dhe prosperitetin ekonomik të kësaj Komune, kryeministri Mustafa u interesua edhe për ndërtimin e urës së re mbi lumin Ibër, që do të mundësojë një komunikim shumë më normal të qytetarëve në këto dy pjesë të qytetit.

“Unë mendoj që në përgjithësi në Mitrovicë po bëhet një punë mjaft e mirë, dhe mendoj se kjo punë po ndikon tani që të relaksohen marrëdhëniet, që qytetarët ta ndjejnë veten më mirë. Por, është bërë edhe një hap shumë i mirë në komunikimin me pjesën veriore, që nuk ka qenë më parë, që mundëson që problemet e qytetarëve tanë atje dhe këtu të jenë probleme të cilat diskutohen lirshëm dhe në një platformë krejtësisht tjetër në krahasim me atë që e kemi pasur më parë”, tha kryeministri Mustafa, duke ofruar përkrahjen e Qeverisë edhe në projektet e vitit të ardhshëm të Komunës së Mitrovicës.

Ndërsa, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, kërkoi që bashkëpunimi me Qeverinë të vazhdojë edhe në të ardhmen.

“Shpresojmë se ne do të kemi një bashkëpunim më të fuqishëm, edhe pse kemi pasur në të kaluarën, por çdoherë duhet të mendohet tek e ardhmja, dhe unë shpresoj që së bashku do t’ia dalim që Mitrovicën, por edhe shumë çështje tjera, t’i bëjmë të përbashkëta”, tha kryetari Bahtiri sipas komunikatës së Qeverisë.