Pamje nga një treg në Mitrovicën e Veriut. I Foto: Adam Jones Wikimedia Commons

Graçanica Kërkon të Përfshihet në Regjistrimin e Vonë të Popullsisë

Qeveria e Kosovës po planifikon ta ndërmarrë një proces të veçantë regjistrimi të popullsisë për katër komunat e veriut të vendit për t’u mundësuar qytetarëve serbë që jetojnë atje të regjistrohen pesë vjet pasi ata bojkotuan procesin e rregullt.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi, tha për KALLXO.com se një draft-ligj do të dorëzohet në Kuvend për ta mundësuar kompletimin e procesit edhe në vendbanimet me shumicë serbe në veri.

“Regjistrimi duhet të sigurojë të dhëna për numrin dhe shpërndarjen gjeografike të popullsisë në komunat përkatëse, strukturën demografike dhe karakteristikat tjera socio-ekonomike të popullsisë në këto komuna, numrin dhe shpërndarjen gjeografike të vendbanimeve, të objekteve dhe të ndërtesave që shfrytëzohen për qëllime banimi apo për destinim tjetër si dhe vlerësimin e kushteve të jetesës së popullsisë”, tha Abrashi.

Sipas tij procesi do të mbështet nga agjensia evropiane e statistikave Eurostat ndërsa mjetet për këtë proces janë siguruar nga Bashkimi Evropian.

Eurostat, ndërkohë, konfirmoi për BIRN se do të jetë e përfshirë në këtë operacion.

“Ne presim që të na kërkohet që të ofrojnë monitorim ndërkombëtar dhe ndihmë teknike. Nuk mund të themi kur do të mbahet regjistrimi pasi që kjo varet nga planet e Kosovës”, tha Baiba Grandovska për BIRN nga Eurostat.

Regjistrimi i vitit 2011 ka treguar se në Kosovë jetojnë diç më shumë se 1.8 milion banorë me 91 për qind shqiptarë, 3.4 për qind serbë dhe 5.6 për qind pjesëtarë të komuniteteve tjera në të cilat përfshihen turqit, boshnjakët, romët, ashkalitë, egjiptasit…

Abrashi tha se regjistrimi është planifikuar të mbahet vetëm në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, vendim i cili e ka lënë të pakënaqur kryetarin e komunës së Graçanicës, Vladeta Kostiq.

Fatmir Sheholli, këshilltar i Kostiqit, tha për BIRN se kryetari i Graçanicës u ka dërguar letër qeverisë së Kosovës, Eurostat-it, Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar duke kërkuar që edhe Graçanica të jetë e përfshirë në këtë proces.

Më herët, Kostiq ishte shprehur se bojkotimi i regjistrimit të rregullt të popullsisë i vitit 2011, i nxitur nga qeveria e atëhershme e Serbisë, e kishte lënë komunën që ai e drejton në pozitë të pafavorshme meqë granti qeveritar i buixhetit vjetor të komunave ndahet në bazë të numrit të regjistruar të popullsisë.

http://kallxo.com/gracanica-po-vuan-pasojat-e-bojkotit-te-regjistrimit-te-popullsise/

Kostiq linte të kuptohej se në Graçanicë jeton një numër shumë më i madh i popullsisë nga sa janë regjistruar pesë vjet më parë.