Pamja nga një takim i mëhershëm i Qeverisë së Kosovës - Foto: ZKM

Qeveria Përshëndet Raportin për Matjen e Territorit

Qeveria e Kosovës, sipas një komunikate të lëshuar prej saj mirëpriti draft-raportin për matjen e territorit të publikuar sot.

“Qeveria e Kosovës ka mirëpritur konstatimin e Komisionit se Republika e Kosovës nuk ka humbur asnjë metër territor me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi”, thuhet në komunikatën e qeverisë.

Ekzekutivi në komunikatë përmend edhe mendimin kundër të disa anëtarëve të Komisionit për Matjen e Territorit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës respekton edhe mendimin ndryshe të disa anëtarëve të Komisionit, duke shpresuar se ky mendim reflekton vetëm këndvështrimin e institucionit që ata përfaqësojnë dhe fton të gjithë për një bashkëpunim të mëtejmë deri në përfundimin e plotë të punës së Komisionit”, sqaron komunikata.

Dje nga komisioni dha dorëheqje gjeografi Fitim Humolli, duke treguar se nuk është pajtuar me anëtarët tjerë të komisionit rreth matjeve, ndërsa sot pas prezantimit të draft-raportit anëtari i komisionit Agron Luta tha se nuk është pajtuar me pjesën profesionale të raportit të hartuar.

Qeveria në komunikatë ftoi të gjithë të interesuarit të bashkëpunojnë me anëtarët e komisionit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës fton edhe një herë të gjithë spektrin politik dhe qytetarët e interesuar që të bashkëpunojnë ngushtësisht me komisionin deri në finalizimin e raportit për matjen e territorit të Republikës së Kosovës,” vijon komunikata.

Qeveria në fund konstatoi se është e përkushtuar për të përmbyllur procesin e demaskimit të kufirit me Malin e Zi si kusht për liberalizim vizash.

Sot KALLXO.com shkroi për publikimin e draft-raportit të matjes së territorit.

http://kallxo.com/komisioni-cakorri-jashte-republikes/

http://kallxo.com/islami-punuam-per-te-verteten-jo-per-konfuzion/