Foto: Atdhe Mulla

Qeveria: Paqja Arrihet me Barazi

Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Qeveria e Kosovës tha se respektimi dhe njohja e të drejtave të barabarta për secilin njeri, secilin qytetar të botës, shënon shkallën e lirisë dhe njëkohësisht edhe themelin e demokracisë brenda shoqërive tona.

Sipas Qeverisë, Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut është më shumë se një përkujtues se paqja arrihet me barazinë dhe me gëzimin e lirisë në çdo fushë, për çdo njeri, pavarësisht fesë, racës, gjinisë apo orientimeve të njerëzve.

“Kosova e ka ende të freskët historinë e dhimbjes së pabarazisë, të dhunimit të të drejtave të njeriut dhe luftës për të qenë pjesë e lirisë. Dhe, në më pak se dy dekada Kosova ka treguar shembullin e ngritjes së shtetit të së drejtës, të respektimit të barazisë ndërmjet qytetarëve të saj dhe mbrojtjes së të gjitha shtresave të shoqërisë, në veçanti të atyre që janë më të lëndueshme”, thuhet në Deklaratë.

Qeveria e Kosovës tha se është e përkushtuar të jetë me qytetarin e saj, në krijimin e mirëqenies për secilin, në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të shoqërisë tolerante dhe avancimin e të drejtave për secilin.

Gjatë ditës, Avokati i Popullit dhe organizatat e shoqërisë civile në Kosovë nënshkruan sot një deklaratë të përbashkët në të cilën i bëhet thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i adresojë me prioritet çështjet e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe t’u ofrojë përkrahje më të fuqishme institucionale në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut,  mekanizmave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, si dhe organizatave joqeveritare.

http://kallxo.com/fotogaleri-marshi-per-te-drejtat-e-njeriut-ne-prishtine/