Qeveria nuk ka Propozim për Kuvendin rreth Speciales

Ramush Haradinaj pas mbledhjes së qeverisë tha se ekzekutivi nuk ka përgatitur ndonjë propozim ligjor rreth Gjykatës Speciale për ta dërguar në Kuvend.

“Ne nuk kemi përgatitë ndonjë propozim ligjor për të dërguar në Kuvend. S’kemi një projekt të tillë”, tha Haradinaj.

Megjithatë Haradinaj Gjykatën Speciale e cilësoi të keqe.

“Jeni në dijeni që Kosova ka respektuar ligjet. Një gjykatë që është etnike e që se ka selinë në Kosovë është e keqe. Aleanca ka qenë kundër dhe disa parti tjera”, tha Haradinaj.

Më 22 dhjetor 2017 disa deputetë nënshkruan kërkesën për ta shfuqizuar ligjin me të cilin u themelua specialja, por atë ditë për mungesë kuorumi Kryesia e Kuvendit dështoi dy herë ta mbajë mbledhjen për ta çuar këtë nismë në Kuvend.

Reagimi i ambasadorëve të ShBA-së dhe Britanisë ishte shumë i ashpër ndaj kësaj iniciative.

Sot edhe Zyra e BE-së u kërkoi deputetëve nënshkrues të Nismës për shfuqizimin e Ligjit për Specialen që të tërheqin nënshkrimet.