Ndertesa e qeverisë, Prishtinë | Foto: Atdhe Mulla

Qeveria Ndan 50 Mijë Euro për Maqedoninë

Ekzekutivi i vendit ndau sot 50 mijë euro për vërshimet që goditën Shkupin dhe Malësinë e Tetovës më 6 dhe 7 gusht.

Propozimin për ndarjen e këtyre mjeteve e dha ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj.

“Republika e Maqedonisë është goditur nga vërshime të mëdha, si pasojë Maqedonia ka shpallë gjendje të jashtëzakonshme dhe ka kërku ndihmë. Ne Qeveria e Republikës së Kosovës ta ndjek shembullin e vendeve tjera në evropë për ndarjen e 50 mijë eurove,” tha Hoxhaj.

Propozimi i Hoxhajt pastaj u miratua.

Në mbledhjen e qeverisë u miratua edhe Projektligji për Akreditim. Këtë projektligj e arsyetoi ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami që tha se përmirësimi i legjislacionit të Zyrës së Përgjithshme të Akreditimit lidhet me Marrëveshjes e Asociim-Stabilizimit.

Qeveria në mbledhje dha 80 mijë euro për kryerje të obligimit financiar në Këshillin për Bashkëpunim Rajonal në Sarajevë.

Hajredin Kuçi tha se këto mjete do të ndahen nga mjetet rezervë, ndërsa do të vlejnë për vitin e kaluar dhe këtë vit.

Edhe në këtë mbledhje, Kryeministri Isa Mustafa kërkoi mobilizim për arbitrazhin me kompaninë “AXOS”.

Kompania “ACP Axos Capital Gmbh” ishte shpallur fituese në tenderin e vitit 2013 për privatizimin e 75 për qind të aksioneve të kompanisë së telefonisë mobile “Vala” për të cilën kishte ofruar 277 milionë euro, por pas disa shtyrjeve qeveria nuk nënshkroi kontratën me këtë kompani.

Kjo kompani pastaj e paditi Kosovën në Gjykatën e Arbitrazhit në Ëashington duke kërkuar kompensim të dëmit.

“Kemi bisedu të kyçet edhe Zyra e Kryeministrit, Agjencia Shtetërore e Prokurimit, Ministria e Drejtësisë në bashkërenditje nëpërmjet Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të kyçet nëse është nevoja edhe Ministria e Punëve të Jashtme,” tha Mustafa kur foli për përgatitjet për arbitrazhin me “AXOS”-in.

Mustafa foli edhe për takimin bizneseve shqiptare në Nju Jork. Tha se aty është mirë të jetë Ministri i Diasporës.

“Takimi vjetor i shqiptarëve të diasporës (bizneseve) që mbahet në Nju Jork, në fund të shtatorit dhe i takon Ministrit të Diasporës të jetë atje. Unë do të jem në Amerikë jo për këtë porse sesioni vjeshtor i OKB-së që fillon më 18-25 shtator,” tha Mustafa.