Pamja nga një takim i mëhershëm i Qeverisë së Kosovës - Foto: ZKM

Qeveria Ndan 150 Mijë Euro për Ekspertizën në Kontestin me ‘AXOS’

Qeveria e Kosovës ka ndarë sot 150 mijë euro për të mbuluar koston e ekspertizës në çështjen e kontestit në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit për privatizimin e PTK-së.

Kjo çështje nga kabineti qeveritar u vlerësua si urgjente, për shkak që seanca e parë do të jetë këtë të premte.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, tha se është parë i domosdoshëm angazhimi i ekspertëve vendorë e ndërkombëtarë në lidhje më këtë çështje.

“Gjatë negocimit, nga komisioni ndërinstitucional për angazhim të përfaqësuesit ligjor në emër të Republikës së Kosovës është identifikuar nevoja e domosdoshme për angazhimin e ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë për vlerësimin e dëmit dhe ekspertizën në fushën e legjislacionit vendor dhe ndërkombëtar për procesin e privatizimit të PTK-së”, u shpreh Stavileci.

Kabineti qeveritar u pajtua që këto mjete të ndahen nga rezervat buxhetore.

Në lidhje më ndarjen e këtyre fondeve, shefi i Qeverisë, Isa Mustafa, kërkoi edhe miratimin e ministrit të Financave, Avdullah Hoti, duke iu drejtuar në këtë mënyrë.

“Ministër i Financave a pajtohemi, s’kemi çka me ba”, tha kryeministri dhe ia plasi të qeshurës.

Kompania “ACP Axos Capital Gmbh” ishte shpallur fituese në tenderin e vitit 2013 për privatizimin e 75 për qind të aksioneve të kompanisë së telefonisë mobile “Vala”, për të cilën kishte ofruar 277 milionë euro, por pas disa shtyrjeve Qeveria nuk nënshkroi kontratën me këtë kompani.

Nga padia e “Axos”-it, nëse Qeveria e Kosovës e humb rastin rrezikon të humbasë 180 deri në 500 milionë euro.

http://kallxo.com/mustafa-mos-te-debatojme-per-axos-in/

Axos-Rreziku Qindra Milionësh

http://kallxo.com/qeveria-mbledhje-per-axos/

Dje, ndërkaq, Telekomi i Kosovës ka njoftuar se ka pranuar vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, sipas të cilit kompanisë “Z-Mobile” duhet t’i paguhen 26,1 milionë euro gjobë, pa llogaritur këtu interesin e kalkuluar si dhe dhënien e bllokut të prej 100 mijë numrave shtesë dhe të shërbimeve 3G e 4G.

http://kallxo.com/mustafa-telekomi-kosoves-rrezikon-te-falimentoje/

Një rast tjetër në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit për të cilin Qeveria e Kosovës do të paguajë miliona euro është ai për pasaportat biometrike.

Rreth 5 milionë euro është dënimi që duhet t’i paguhet shtypshkronjës shtetërore austriake “Osterreichische Staatsdurckerei”.

http://kallxo.com/mpb-deklarohet-sot-per-gjoben-5-milioneshe/