Ndertesa e qeverisë, Prishtinë | Foto: Atdhe Mulla

Qeveria Miraton Raportin e Matjes së Territorit

Raporti Faktografik i Komisionit të Ekspertëve për Matjen e Territorit të Republikës së Kosovës u miratua sot me votat për të të gjithë anëtarëve nga kabineti qeveritar pas diskutimeve më shumë se dyorëshe.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë të pranishëm ishin edhe Ahmet Zejnullahu nga Agjencioni Pyjor i Kosovës dhe përfaqësuesi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit Ekrem Hajdari.

Ekrem Hajdari në mbledhjen e ekzekutivit tha se AKP-ja nuk ka humbur ndonjë pronë nga marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi, ndërsa Ahmet Zejnullahu tha se në pjesën e Zhlepin Kosova më herët ka menaxhuar me 614 hektarë përtë cilët nuk është gjetur dëshmi se i takojnë asaj.

Për këta hektarë pyetje shtroi ministri i Kulturës Kujtim Shala duke u lidhur me ato që tha Zejnullahu.

“Çështja e 614 hektarëve që tha se nuk ka dëshmi se janë pronë e Kosovës, por janë menaxhuar nga Kosova. Si caktohet pronësia?”, pyeti Shala.

Pyetjes së Shalës iu përgjigj eksperti dhe zëdhënësi i komisionit Tomor Qela.

“Në bazë të dokumentit të zonës kadastrale Zhlep del që 614 hektarë janë të zonës kadastrale te Daçiqit. Domethënë nuk mund të gjejmë asnjë zonë kadastrale,  nuk kemi në territorin e Kosovës”, tha Qela.

Për raportin e matjes së territorit folën edhe ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj dhe  zëvendëskryeministrat Hajredin Kuçi e Ramiz Kelmendi.

Para se të votohej raporti, atë e prezantoi kreu i komisionit-akademiku Hivzi Islami.

“Kryeministri më ftoi ne mbledhje t’i them 2-3 fjalë. Ne si vend e popull i vogël kemi nevojë te madhe për të vërtetën. Si të vegjël jem më shumë të prekur nga problemet, por në këtë moment për keqardhje është që po sfidohemi nga probleme te brendshme. Te bëhesh sot shembull me irracionalitetet e papara, me etjet për pushtet është e pashpjegueshme”, tha Islami.

Ai i sulmoi kundërshtuesit e këtij procesi të matjes dhe vijës së përcaktuar të kufirit me Malin e Zi.

“Injorantët e mediokrit e keqpërdorën shkencën dhe u vunë ne funksion te një patriotizmi te rrejshëm. Qasjet emocionale e folklorike nuk janë produktive”, tha Islami.

Ai deklaroi se “komisioni ishte plotësisht i pavarur larg ndikimeve të grupeve të interesit”, ndërsa tregoi se “u shoshit një mal i dokumentacionit”.

Islami konstatoi se ata që kryen matjen e kanë ndërgjegjen të pastër.