Mbledhja e Qeverisë | Foto: ZKM

Qeveria Miraton Dokumentin që Suspendon Zyrtarët me Aktakuza

Qeveria e Kosovës ka miratuar koncept- dokumentin për suspendim nga puna të zyrtarëve publikë në rast se ndaj tyre ngrihet aktakuzë për korrupsion apo keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Ky koncept- dokument është rezultat i punës dhe përkushtimit të vazhdueshëm të Ministrisë së Drejtësisë për kompletimin e infrastrukturës ligjore që lidhet me fushën e sektorit të sundimit të ligjit dhe është pjesë e obligimeve tona që ndërlidhen me agjendën e reformave evropiane si dhe me programin kombëtar për zbatimin e marrëveshjes së MSA-së”, tha ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri në mbledhjen e qeverisë.

Ai tregoi më tutje pse ky dokument duhet të miratohet.

“Miratimi i këtij koncept-dokumenti do t’u hapë rrugë ndryshimeve në kodin penal dhe në kodin e procedurës penale, rishikimi i të cilave është në proces dhe do të përfundojë shumë shpejt”, tha gjatë propozimit të këtij propozimi, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Sipas tij, kjo masë e përkohshme do të vlejë për të gjithë personat zyrtarë që akuzohen për veprat e përmendura më lart, duke i trajtuar të gjithë si të barabartë.

“Gjykata do t’ia ndalojë një personi zyrtar ushtrimin e profesionit apo detyrës së zyrtarit, apo personit menaxhues administrativ deri në 10 vjet në rast se personi është i dënuar për ndonjë vepër të natyrës korruptive”, tha ndër tjerash ministri Tahiri

Ndryshimet që janë paraparë në koncept-dokument, e që u miratua sot në qeveri do të inkorporohen në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale.