Qeveria Miraton Disa Marrëveshje

Disa marrëveshje u shqyrtuan dhe u miratuan në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës.

Qeveria miratoi nismën për nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit teknik për vitin 2016 me Gjermaninë.

Ekzekutivi gjithashtu i dha dritë të gjelbër negocimit të mmarrëveshjes për grant në lidhje me rregullimin e rrugëve rajonale mes Ministrisë së Financave dhe Bankës Europiane për Rindërtim e Zhvillim.

Në korrik të vitit të kaluar ministri i Financave Avdullah Hoti tha se me Bankën Europiane për Rinndërtim e Zhvillim Kosova ka disa projekte rrugore e hekurudhore.

http://kallxo.com/berzh-nenshkruan-marreveshje-dy-banka-kosovare/

Qeveria aprovoi edhe Projektligjin e Marrëveshjes për Sigurinë e Ujit dhe Mbrojtjen e Kanalit me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim (IMF).

Për këtë marrëveshje me të cilën parashikohet restaurimi i kanalit të Ibër-Lepencit KALLXO.com shkroi në tetor të vitit të kaluar.

http://kallxo.com/banka-boterore-22-milione-euro-per-ujin-e-kosoves/

Përveç marrëveshjeve të miratuara, në mbledhjen e qeverisë  u aprovua edhe propozimi i ministres për Dialog Edita Tahiri për pajisje me dokumente të shtetësisë dhe gjendjes civile për qytetarët e Kosovës që nuk i kanë marrë ato.

“Me qëllim të realizimit të kësaj të drejte, qytetarët që aplikojnë për dokumentet e shtetësisë dhe gjendjes civile dhe janë në Regjistrin Civil të Kosovës duhet të disponojnë dokumente të vjetra që vërtetojnë identitetin e tyre në pajtim me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës”, tha ministrja Tahiri.

Kabineti qeveritar obligoi Ministrinë e Punëve të Brendshme ta zbatojë këtë vendim.

Në mbledhjen e qeverisë kaloi edhe propozimi i ministres së Drejtësisë Dhurata Hoxha që të gjitha pronat e regjistruara në emër të Ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, ish-republikës së Jugosllavisë, ish-Republikës Socialiste të Serbisë, Republikës së Serbisë dhe ish-Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, të kalojnë në emër të Republikës së Kosovës.

“Pjesë përbërëse e propozim-vendimit është edhe lista e pronave të cilat do të regjistrohen në emër të Republikës së Kosovës. Me qëllim të heqjes së të gjitha dilemave të ngritura në mbledhjen 118 të qeverisë të datës 30 nëntor 2016 kemi pasur konsultime shtesë me të gjithë akterët relevantë duke përfshirë Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor, Agjencinë Kadastrale të Kosovës, Agjencinë Kosovare të Privatizimit, bashkarisht kemi arritur ta finalizojmë këtë proces mjaft të rëndësishëm të Kosovës”, deklaroi Dhurata Hoxha.

Kryeministri Mustafa pas miratimit të propozimit të ministres, vendimin e qeverisë për këto prona e cilësoi të rëndësishëm.

“Mendoj që është një vendim i rëndësishëm për ne dhe për Kosovën”, tha Mustafa.

Redaktoi: Bekim Muhaxheri