Qeveria Merr Kredi për Bujqësi dhe Eksport

Qeveria e Kosovës do të marrë dy kredi në vlerë prej 34.3 milionë euro për realizimin e dy projekteve, që synojnë zhvillimin e sektorit privat dhe krijimin e vendeve të reja të punës në Kosovë.

Marrëveshjet për kredi janë nënshkruar nga ministri në detyrë i Financave, Avdullah Hoti dhe menaxheri i Bankës Botërore për Kosovë, Marko Mantovanelli. Marrëveshjet pas aprovimit në Qeveri do të procedohen për ratifikim në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend duhet të bëhen me 2/3 e votave.

Këto kredi do të shkojnë për financimin e dy projekteve: Projektin për Konkurrueshmërinë dhe Gatishmërinë për Eksport dhe Financimit Shtesë për Projektin për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural.

Ministri Hoti ka thënë se projekti i parë ka për qëllim avancimin e legjislacionit për tregti si dhe krijimin e një ambienti të përshtatshëm për eksporte me standarde ndërkombëtare. “Realizimi i Projektit në fjalë do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve dhe shërbimeve që eksportohen/ofrohen nga tregu i Kosovës”, tha Hoti.

E projekti i dytë që do të financohet me kredi ka të bëjë me sektorin e bujqësisë dhe ka për qëllim vazhdimin e financimit për grantet e bujqve, si dhe për rehabilitimin e kanaleve në skemat e ujitjes Radoniqi dhe Dukagjini.

“Objektivat e Projektit janë që të ndihmojnë MBPZHR që të përmirësojë produktivitetin dhe qasjen në tregje, të përfituesve të Projektit në nënsektorët e hortikulturës dhe blegtorisë në Kosovë, si dhe të konsolidojë kapacitetin institucional të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural”, tha Hoti.

Menaxheri i Bankës Botërore për Kosovë, Marco Mantovanelli tha se këto projekte do të ndihmojnë Kosovën ta ketë një rritje të qëndrueshme ekonomike.

“Financimi për këto projekte është pjesë e strategjisë së Grupit të Bankës Botërore që synon t’i ndihmojë Kosovës në lëvizjen drejt një rritjeje ekonomike më të qëndrueshme, të orientuar kah eksporti, ashtu që qytetarët e saj të kenë më shumë mundësi për një jetë më të mirë”, tha menaxheri i Bankës Botërore për Kosovë.

Ministria e Financave ka njoftuar se të dyja marrëveshjet kanë vlerën afro 34.3 milionë, ndërsa kohëzgjatja 25 vite maturitet, ku 5 vite janë grejs periudhë, kurse 20 vite janë amortizim me 40 këste gjysmëvjeçare.

Dy kreditë janë dhënë nga Asociacioni Ndërkombëtar (IDA) për Zhvillim i Grupit të Bankës Botërore. Kosova është ende përfituese e financimit koncesional (të butë) nga IDA, që jipet me kushte koncesionale, me normë interesi zero ose afër zeros, si dhe me periudha të gjata të kthimit të kredisë.