Qeveria e Kosovës | Foto: Zyra e Kryeministrit

Haradinaj: Nuk Shkoj në Bruksel me Fjalë Boshe

Dhurata Hoxha, ministre e Integrimit tha sot para kabinetit qeveritarë se Kosova duhet të përgjigjet në 1500 pyetjet e Komisionit Evropian që kanë ët bëjnë me procesin e Stabilizim Asociimit. Ajo kërkoi nga kryeministri dhe ministrat e qeverisë që të plotësohet dokumenti për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, të arriturat dhe të gjeturat për vitin 2018-të, kërkuar nga kabineti qeveritarë që të plotësohet ky dokument.

“Kisha kërkuar mirëkuptimin dhe përkushtimin, që ky dokument të plotësohet dhe ndryshohet që të jetë i yni, që më pas të kemi një bazë në takimin me 17 nëntor, që më pas aty të tregojmë prioritetet tona”, ka thënë ajo.

Ministrja Hoxha tha se Kosova duhet të përgjigjet në 1500 pyetjet e komisionit evropian.

“Për raportin në 2017-të i kemi pranuar pyetjet dhe i kemi përgjigjet e ministrive të linjës. Por nuk kemi kohë që të shkruajmë një narrativ sa ma të mirë. Në javët në vijim do të ulemi që edhe këtë pikë ta rishikojmë që vendi ynë të dal sa më mirë, sidomos në pjesën si shkruhen përgjigjet për raportin e progresit”, ka thënë ministra e Integrimeve Dhurata Hoxha.

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, tha se nëse kryeministri po kërkon që Kosova të aplikojë për statusin e vendit kandidat në vitin 2018-të, atëherë duhet patur një dinamikë të re në këtë proces.

“Nëse ne e kemi një qasje çfarë po kërkon kryeministri që afati i fundit të jetë 2018-ta dhe ne të aplikojmë për statusin e kandidatit, do të kemi një dinamikë të re. Jam i mendimit që edhe raporti i progresit mund të negociohet, nëse kyçen krejt kolegët besoj që në prill do ta marrim një raport më të mirë”, ka deklaruar Hoxhaj.

Ndërsa, kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, tha se materialet që i ka trashëguar nga qeveria e kaluar nuk kanë substancë. Ai raportin e pranuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e ka quajtur të pakuptimtë.

“Kam marr një material nga MPJ si raport, por s`kam ku me qu atë. Jemi qeveri e re, duhet t`i fuzionojmë. Nuk jam kryeministër i përshkrimeve, duhet të reflektojmë substancë. Nuk shkojmë ne me përsërite fjalime boshe nga e kaluara se është marre. Ky materiali që ka ardhë nga MPJ, është i pakuptimtë”, ka thënë kryeministri Haradinaj gjatë mbledhjes së qeverisë, ku po diskutohet Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, të arriturat dhe të gjeturat për vitin 2018-të.

“Marrëdhëniet me BE nuk janë të diktueshme prej nesh, por atë që kërkojmë ne me shti në agjendë. Duhet reflektim i gjendjes dhe shfaqje e vizionit tonë. Deri sot një javë duhet ta koordinojmë edhe ERA-n 2018 dhe meqë do t’i prij këtij delegacioni më Bruksel dëshiroj fjalën e juaj, premtimin e juaj që ato që i themi me i zbatu. Nuk ka shabllonizma më”, ka deklaruar Haradinaj.

Zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, të arriturat dhe të gjeturat për vitin 2018-të, është njëra nga 10 pikat e rendit të ditës të cilat do diskutohen sot në mbledhjen e 12-të Qeverisë.

Qeveria sot pritet të shqyrtojë disa projekt rregullore dhe raporte të punës së institucioneve qeveritare për vitin 2016-të.

Në rend dite është edhe propozim-vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e programit legjislativ të vitit 2017-të të Qeverisë.

Po ashtu në mbledhjen e sotme pritet të shqyrtohen edhe disa projekt rregullore, si ajo për ndryshimin dhe plotësimin e rregullores për fushat e përgjegjësive administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive.