Ndertesa e qeverisë, Prishtinë | Foto: Atdhe Mulla

Qeveria: Lirimi i Haradinajt Fitore e Drejtësisë

Qeveria e Kosovës në reagimin pas lirimit të Haradinajt nga një gjykatë në Francë, u zotua se do të bëjë përpjekje që të parandalojë situatat si kjo e ish-komandantit të UÇK-së në të ardhmen.

“Qeveria e Kosovës shpreh përkushtimin e saj të mëtejshëm për të bërë çdo përpjekje për të pamundësuar forma të tilla të keqpërdorimit të drejtësisë nga ana e Serbisë, në të ardhmen”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Ekzekutivi i vendit duke përshëndetur vendimin e autoriteteve franceze për lirimin e Haradinajt, fletarrestimin në bazë të të cilit u ndalua kreu i AAK-së e cilësoi të padrejtë.

“Duke vlerësuar se fletarrestet serbe mbi bazën e të cilave është ndaluar z. Haradinaj janë të paligjshme dhe të padrejta, Qeveria e Kosovës konsideron se vendimi i Gjykatës Franceze është konfirmim se e drejta është në anën e z.Haradinaj”, thuhet në reagim.

Për qeverinë “fletarrestet serbe kundër tij dhe luftëtarëve tjerë të UÇK-së janë politike dhe kanë synime të ulëta”.

Haradinaj u lirua sot nga gjykata franceze, pasi qëndroi në shtetin francez që nga 4 janari kur u arrestua.

Pas lirimit të Haradinajt Qeveria e Serbisë ka paralajmëruar një mbledhje urgjente në orën 11:00.

http://kallxo.com/qeveria-e-serbise-ne-mbledhje-urgjente-pas-lirimit-te-haradinajt/