Ndertesa e qeverisë, Prishtinë | Foto: Atdhe Mulla

Qeveria-Keqardhje për Incidentet në Mushtisht

Qeveria e Kosovës “shprehu keqardhje për incidentet e dhunshme që kanë ndodhur sot në Mushtisht”.

Në një komunikatë për medie ekzekutivi i vendit tha se e erespekton të drejtën për protestë paqësore.

“Qeveria e Kosovës respekton plotësisht të drejtën e çdo qytetari për protestë paqësore, për çfarëdolloj arsye, si të drejtë themelore dhe të patjetërsueshme të shprehjes së mendimit dhe kërkesave publike,” thuhet në komunikatë.

Por në të njëjtën kohë qeveria tha se të drejtën për kthim në pronën e tyre e gëzojnë të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Qeveria e Kosovës konsideron se çdo qytetar i Kosovës, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, ka plotësisht të drejtë të kthehet në pronat e tij, në mënyrë të papenguar,” vijon komunikata.

Sot pasi ish-banorët serbë të Mushtishtit të larguar nga viti 1999 kishin paralajmëruar kthimin në këtë fshat për një vizitë në pronat e tyre dhe kishën ortodokse, shqiptarët e këtushëm që nga orët e hershme të mëngjesit bllokuan rrugën kryesore të fshatit për të penguar ardhjen e paralajmëruar të ish-fqinjve, të cilët i konsiderojnë përgjegjës për të këqijat që ndodhën gjatë luftës.

KALLXO.com e ndoqi këtë protestë gjatë tërë zhvillimit të saj, ndërsa në një moment banorët që përlesheshin me policinë u kërkonin zyrtarëve të saj që të verifikojnë nëse ndonjëri nga të ardhurit për vizitë, ishte punonjësi i policisë, ose Ushtrisë së Serbisë.

http://kallxo.com/vizita-e-ish-banoreve-tensione-ne-mushtisht/

Qeveria në reagimin e saj e konsideron të ligjshme edhe kërkesën për dënimin e atyre që bënë krime gjatë luftës.

“Qeveria e Kosovës konsideron se kërkesat e qytetarëve për zbardhjen e plotë të të gjitha krimeve të luftës dhe dënimin e të gjithë kryesve të tyre është plotësisht legjitime,” thuhet në reagimin qeveritar.

Deri afër Mushtishtit serbët erdhën me tre autobusë, por nuk hynë në fshat edhe pse policia ua garantoi se rrugën e kanë të hapur.