Qeveria Haradinaj në njërën nga mbledhjet | Foto: ZKM

Qeveria Jep 49 Mijë Euro për Komisionin e Demarkacionit

Qeveria dha sot në mbledhjen e saj 49 mijë e 40 euro për punën e Komisionit të Shënjimit të Vijës Kufitare me Malin e Zi.

Propozimin për ndarjen e këtyre mjeteve e dha Ramush Haradinaj, ndërsa ai u miratua nga kabineti i drejtuar prej tij.

Haradinaj e shkarkoi komisionin e mëparshëm për shënjimin e kësaj vije kufitare në mbledhjen e parë dhe vendimin e tij të parë si Kryeministër.

Që nga zgjedhja në pozitën e të parit të qeverisë, Ramush Haradinaj ka vazhduar ta mbrojë qëndrimin se vija kufitare mes Kosovës e Malit të Zi ndodhet në Çakorr e Kullë.

Këto pika të larta nuk janë pjesë e territorit të Kosovës sipas vijës kufitare të përcaktuar me marrëveshjen e gushtit të vitit 2015 me Malin e Zi.

Kur Haradinaj vizitoi Tiranën më 27 shtator, Edi Rama tha se shpreson që Kryeministri i Kosovës ta ndryshojë qëndrimin opozitar për demarkacionin, ndërsa këtë deklaratë të Kryeministrit shqiptar Haradinaj e shoqëroi vetëm me një buzëqeshje.

http://kallxo.com/rama-beson-se-haradinaj-te-ndahet-nga-pozicioni-per-demarkacionin/

Dje shefja e Zyrës së BE-së Natalya Apostolova kërkoi që të zgjidhet çështja e demarkacionit.