Pamje nga konferenca e Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale - Foto: KALLXO.com

Qeveria Inkasoi Vetëm 32 % të Borxheve

Ndërkohë që kanë mbetur edhe rreth një muaj deri në skadimin e Ligjit për Faljen e Borxheve, Qeveria e Kosovës nuk ka arritur të inkasojë 68 % të borxhit të grumbulluar në periudhën 2009-2014.

Këto të gjetura u prezantuan sot në një konferencë të organizuar nga Qendra për Hulumtime Strategjike dhe Sociale (STARS), në të cilën u dhanë sugjerime dhe rekomandime në pyetjen çka pas datës 3 shtator kur skadon afati i Ligjit për Faljen e Borxhit.

Nga shtatori i vitit 2015 Qeveria ka inkasuar vetëm 32% të borxhit apo nga totali prej 235.6 milionë eurove sa ka pritur t’i inkasojë deri më tani ka inkasuar vetëm 75.5 milionë.

Këtu nuk është përfshirë borxhi që qytetarët dhe bizneset i kanë Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), vlera e të cilit është 314,5 milionë euro.

Më së shumti që ka arritur të mbledh borxhe është Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), e cila ka inkasuar 12.7 milionë euro, pasuar nga tatimi në pronë (3 milionë euro), dhe Ujësjellësi “Prishtina” (1 milion euro).

Nga kompanitë që ka inkasuar më së paku borxhe është Korporata Energjetike e Kosovës, e cila ka mbledhur vetëm 766 mijë euro nga borxhi total prej 314.5 milionë eurove.

Ibrahim Rexhepi nga qendra STARS theksoi se Ligji për Faljen e Borxheve ka qenë një mundësi e mirë për qytetarët që është dashur të shfrytëzohet.

“Ligji skadon edhe pesë javë. Ky Ligj ka qenë shumë i mirë për ata që e kanë shfrytëzuar, andaj ka qenë mirë që të shfrytëzohen edhe këto ditët e mbetura për të përfituar nga ky Ligj sepse është në pikëpyetje kur do të gjendet një zgjidhje e dytë për neglizhencën e këtyre borxheve”, tha Rexhepi.

Të njëjtin mendim e ndanë edhe kryetari i Komisionit për faljen e borxheve, Agim Dibrani, nga Ministria e Financave, i cili apelon te qytetarët që t’i shfrytëzojnë edhe këto ditët e mbetura për t’i shlyer borxhet, duke shpresuar se ditët e fundit do të japin rezultate.

“Përmes këtij Ligji, Qeveria ka dashur t’i motivojë qytetarët për shlyerjen e borxhit. E di se deri në përmbyllje të këtij Ligji është një sfidë për institucionet që duhet të inkasojnë borxhe. Andaj u bëj apel qytetarëve që të paguajnë borxhin deri më 2 shtator”, tha Dibrani

E drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Sakip Imeri, madje si zgjidhje se ku mund t’i gjejnë bizneset dhe qytetarët të hollat për ta shlyer borxhin kryesor për të mos i paguar ndëshkimet dhe gjobat, i sheh kreditë në banka.

“Ky Ligj ka qenë një mundësi e mirë sidomos për bizneset që ta shlyejnë borxhin bazë të ATK-së në tërësi duke i shpëtuar ndëshkimeve dhe gjobave, e nëse ato biznese dhe individë nuk kanë të holla të paguajnë unë i sugjeroj t’u drejtohen bankave për kredi ose tjetrën mundësi e kanë pagesën me këste në marrëveshje me ATK-në”, tha Imeri.

STARS përmes raportit i sugjeron Qeverisë nëse ka vullnet për shtyrjen e afatit për faljen e borxheve ose të ofrojë alternativa të tjera për lehtësimin e problemit.

Falja e Borxheve Peshon Afër 400 Milionë €