Paqeruajtësit holandezë në Potoçari afër Srebrenicës në vitin 1995

Qeveria Holandeze Apelon Vendimin për Vdekjet në Srebrenicë

Qeveria holandeze do të kundërshtojë vendimin që shpall atë përgjegjëse për vdekjet e 300 boshnjakëve nga Srebrenica në korrik 1995, njoftuan mediat të mërkurën.

Por avokatët që përfaqësojnë familjet e disa prej boshnjakëve të vrarë thanë për BIRN se ata gjithashtu do të apelojnë në Gjykatën e Lartë Holandeze, duke kërkuar që ajo ta deklarojë Holandën përgjegjëse për shumë më tepër vdekje.

Një nga avokatët, Marco Gerritsen, i cili po vepron për organizatën “Nënat e Srebrenicës”, tha se do t’i kërkojë Gjykatës së Lartë t’i shpallë autoritetet holandeze fajtore “për vdekjen e një grupi shumë më të madh sesa 350 djem dhe burra”.

Vendimi për përgjegjësinë e Holandës i dhënë nga Gjykata e Apelit në Hagë në qershor, lidhet me vdekjen e rreth 300 burrave boshnjakë, të cilët ishin strehuar në bazën e paqeruajtësve holandezë të OKB-së pranë Srebrenicës në korrik të vitit 1995, por u detyruan të largoheshin dhe më pas u vranë nga forcat serbe të Bosnjës.

Por vendimi nuk lidhet me vdekjet e pjesës tjetër të rreth 8,000 boshnjakëve nga Srebrenica të cilët u vranë nga forcat serbe të Bosnjës në korrik 1995 – një krim i klasifikuar si gjenocid nga vendimet e gjykatave ndërkombëtare.

Ministria holandeze e mbrojtjes tha se ajo nuk beson se trupat e saj shkelën ligjin.

“Ne nuk ndajmë të njëjtin mendim me gjyqtarin që paqeruajtësit holandezë të OKB-së vepruan në mënyrë të paligjshme dhe nuk e kuptojmë se si gjykata e arriti atë vendim”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes Klaas Meijer për Retuers të mërkurën.

Por Gerritsen tha për BIRN se Holanda “ka mohuar çfarëdolloj përgjegjësie për vdekjen e më shumë se 7,000 burrave dhe grave ngas Srebrenica që në fillim”, kështu vendimi i saj për ta kaluar çështjen në apel s’është aspak surprizë.

“Qëndrimi i tyre s’ka ndryshuar që nga çasti që ne ndërmorëm hapin tonë të parë në vitin 2007”, tha Gerritsen.

Ai u shpreh se paqeruajtësit holandezë “nuk arritën të përmbushnin detyrimet e tyre dhe urdhrat që iu dhanë nga Kombet e Bashkuara për të mbrojtur civilët”.

“Është e rëndësishme të përmendet që ushtarët holandeze nuk informuan Kombet e Bashkuara për shkeljet e tmerrshme të të drejtave të njeriut që ata panë, kështu që qëndrimi ynë është se Holanda është fajtore për vdekjen e mijëra burrave dhe djemve që ishin të pranishëm në enklavë”, shtoi ai.

Hajra Catiq e “Nënave të Srebrenicës” tha në emër të familjeve të viktimave, se do të vazhdonin të luftonin për drejtësi.

“Shpresa vdes e fundit. Avokatët tanë do të apelojnë gjithashtu. Unë e konsideroj Holandën përgjegjëse për atë që ndodhi brenda dhe jashtë bazës, si edhe në pyjet ku boshnjakët u përpoqën të fshiheshin nga forcat serbe të Bosnjës”, tha Catiq.

Hasan Nuhanoviq, i cili fitoi një çështje në vitin 2013 në Gjykatën e Lartë Holandeze, e cila vendosi se shteti holandez ishte përgjegjës për mos parandalimin e vrasjes së tre boshnjakëve në masakrat e vitit 1995 në Srebrenicë, tha se ai u ka vënë në dispozicion “Nënave të Srebrenicës” dhe avokatëve të tyre dokumentacionin dhe provat e tij materiale.

Nuhanoviq tha se ai shpresonte që vendimi përfundimtar në çështjen e tyre të shkonte në favor të familjeve të viktimave, duke shtuar se në rastin e tij “kompensimi ishte paguar”.