Qeveria Haradinaj, 8 Milionë Euro në Rrugë në Deçan

Gjatë vizitës që i bëri Komunës së Deçanit, Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, tha se brenda pak kohësh do fillojnë punimet në segmentin rrugor Deçan-Plavë.

Lekaj sot nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Kryetarin e Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosajn, për mbështetjen e disa projekteve infrastrukturore në vlerë prej 8 milionë euro në ketë komunë.

Pas takimit tha se lajm tjetër i mirë për deçanasit është se brenda pak ditëve do nënshkruhet kontrata për fillimin e punës në segmentin rrugor Deçan-Plavë, rrugë e cila e lidh Kosovën me Malin e Zi.

“Ajo që mund të japi një lajm të mirë për Deçanin, është edhe rruga që do të fillojë brenda 10 dite, Deçan-Plavë, që mendoj është një segment i rëndësishëm i lidhjeve të korridoreve, i lidhjeve të dy hapësirave shqiptare, por edhe dy shteteve, shtetit të Kosovës dhe Malit të Zi, por që ka impakt edhe zhvillimin e turizmit. Për Deçanin po vinë ditë të mira”, tha Lekaj.

I pyetur nga KALLXO.com, ministri Lekaj tha se nënshkrimi i kontratës me operatorin ekonomik është çështje ditësh, ndërsa theksoi se për segmentin e parë të kësaj rruge do ndahen 8 milionë euro.

Ministri i Infrastrukturës tutje bëri të ditur se punimet pritet të fillojnë në momentin kur krijohen kushtet të përshtatshme atmosferike.

Me marrëveshjen e nënshkruar sot mes ministrisë dhe komunës, kryetari i Deçanit,Bashkim Ramosaj, tha se me së shumti do përfitojnë banorët e komunës.

“Në bazë të kësaj marrëveshje të bashkëpunimit, po besoj që qytetarët e Deçanit janë përfituesit më të mëdhenj, sepse po bëhet fjalë për një investim 8 milionë euro nga Ministria e Infrastrukturës”, tha Ramosaj.

Në mars të vitit të kaluar, KALLXO.com raportoi se vetëm 300 mijë euro ishin ndarë për ketë projekt rrugor që ka edhe karakter nacional.

http://kallxo.com/pak-para-per-rrugen-nacionale-decan-plave/

Po ashtu ministri Lekaj sot ka vizituar edhe komunën e Junikut ku ka nënshkruar edhe një marrëveshje bashkëpunimi për disa projekte në ketë komunë.