Ndertesa e Qeverise, Prishtine. 21 Maj 2015. Photo:Atdhe Mulla.

Qeveria fillon ta 'shkruajë' ligjin për veten

Qeveria e Kosovës javën e kaluar e miratoi nismën për hartimin e ligjit për Qeverinë, ndërsa sot, koordinatori qeveritar për reforma, Besnik Tahiri, kishte mbledhur për herë të parë komisionin që do ta hartojë këtë projektligj.

Ai përmes një konferencë për media ka njoftuar për nisjen e punës së këtij komisioni.

“Ka pasur një debat të gjerë rreth kësaj teme, në veçanti aspektet që lidhen me dikaster, me zëvendës-ministra etj, ky ligj në një anë dhe tri ligje tjera; Ligji që rregullon organizmin dhe funksionimin e administratës shtetërore, Ligji që rregullon funksionin publik dhe Ligji që rregullon pagat janë kornizat e një administrate të rregullt me një kornizë ligjore që e rregullon deri në detaj funksionimin e administratës së shtetit”, tha Tahiri që ka marrë përsipër ta udhëheqë këtë komision për hartimin e këitj Ligji.

Sipas tij, procesi ka filluar tani për shkak që në të ardhmen të mos bien ndesh këto tri ligje me ligjin për Qeverinë.

Ai gjithashtu bëri ditur që ky Ligj do t’i nënshtrohet një konsultimi më të gjerë në mes të ekspertëve e organizatave joqeveritare sepse përfshinë shumë fusha.

Besnik Tahiri në konferencë për media. Foto: KALLXO.com

“U dakorduam sot që ky proces i hartimit të Ligjit të Qeverisë ti nënshtrohet një konsultimi të gjerë të ekspertëve, organizatave që merren më këtë temë, t’i paraprijë këtij koncept-dokumenti, sepse ky Ligj jo veç që përcakton numrin e ministrisë por po ashtu përcakton edhe kushtetutshmërinë e ligjshmërinë, aspektet që lidhen me transparencë, efketshmërinë e një Qeverie, me përgjegjshmërinë e llogaridhënien”, tha ne mes tjerash Tahiri.

Ai nuk e ka komentuar se kur planifikohet që ky Ligj do të hyjë në fuqi, por sipas tij me një fokus serioz deri në fund të vitit mundë të krijohet një bazë e fortë e këtij ligji.

Tahiri në mes tjerash ka përmendur edhe disa vende të rajonit që kanë numër të madh të ministrive.

Ai e ka konfirmuar se Ligji për Qeverinë nuk e rregullon çështjen e pagave.