Mungesë karrigesh për ministrat e Qeverisë Haradinaj - Foto: Atdhe Mulla

Qeveria e Krizës së Karrigeve

Arkitektët e planifikuesit e firmës së Behgjet Pacollit mund të mburren me punët e bëra në pallatin presidencial rus, Kremlin, ndërtimin e lagjeve të tëra luksoze në Astana të Kazakistanit, por edhe të disa projekteve ndërtimore brenda Kosovës.

Por në një rast, nuk janë treguar parashikues të mirë.

Nja 15 vjet më parë, mes zhurmash biznesore e politike, firma e tij kishte përuruar sallën e rinovuar të Kuvendit të Kosovës në pjesët e objektit që të çojnë drejt asaj salle (holli e Zyra e Kryetarit të Kuvendit), por ‘defektet’ e punimeve janë vërejtur vetëm të shtunën e kaluar.

Planifikuesit nuk e paskan parashikuar se qeveria në të cilën bën pjesë shefi i tyre do të ketë aq shumë anëtarë (Zëvendës Kryeministra e Ministra) sa të mos ketë karrige të mjaftueshme për t’u bërë vend të gjithëve gjatë kohës sa Kryeministri po e jepte rezymenë e programit të tij qeveritar dhe debatit përcjellës.

Me 21 ministra dhe pesë zëvendës kryeministra në të, pjesë e të cilëve është edhe vetë Pacolli, qeveria e Ramush Haradinajt është treguesi më i qartë i një “aksham pazari” në ndarjen e ministrive mes partnerëve të shumtë të koalicionit me mbi 20 përbërës.

Madje një ministri i cili duket të kishte ardhur i fundit në seancën e Kuvendit u desh që t’i ofrohet një karrige e thjeshtë e zyrës për të bërë vend pas foltores së Kuvendit, aty ku qëndrojnë anëtarët e kabinetit qeveritar. Në seancat e ardhshme, ai do të lutet që të mungojë të paktën një koleg i tij në mbledhjet e Kuvendit në mënyrë që ta ketë një vend dinjitoz dhe të barabartë me të tjerët.

Emërimi i zëvendës-ministrave do ta bëjë edhe më të mbipopulluar qeverinë, por qeveria nuk do ta ketë problem të sigurojë paga, vetura, shoferë, asistentë/e e karrige për ta.

Por pak kilometra larg zyrës së Kryeministrit një shkollë fillore nuk po mundet t’u bëjë vend të gjithë nxënësve që kanë vërshuar këtë fillimvit shkollor.

Në shkollën “Mihal Grameno” të Fushë Kosovës, autoritetet e komunës dhe drejtuesit e shkollës janë detyruar t’i marrin në punë gjashtë arsimtarë pa mundur të gjejnë zgjidhje për pagat e tyre.

Në këtë mënyrë, politikbërja në Kosovë po i nënshtrohet burokracisë në kuptimin më të vrazhdë të saj, përderisa në teren thellohen mungesat e gjërave ndër më elementaret për të cilat njerëzit i paguajnë taksa qeveritarëve të akredituar në pallatet qeveritare përmes votës, sado e deformuar të mund të ketë qenë ajo përgjatë rrugës nga kutia e votimit deri te ngritja e dorës në Kuvend.

Institute që merren me çështje të monitorimit të qeverisjes kanë sugjeruar që një ekzekutiv me jo më shumë se 13 ministri do të ishte i mjaftueshëm për Kosovën.

Sipas një raporti të Institutit GAP, sipas përllogaritjeve mesatare, nga shuarja e gjashtë ministrive, brenda një mandati katër vjeçar do të mund të kurseheshin mesatarisht 2,5 milionë euro.

“…Ekzistimi i vetëm një posti të zëvendëskryeministrit do të kursente një buxhet prej mbi 600 mijë eurosh. Ndërsa zvogëlimi i numrit të zëvendësministrave nga 39 sa janë tani në 13 deri 15 pozita të tilla, do të kursente buxhet mesatarisht 1,2 milion euro brenda një mandati. Në total, vetëm nga postet ministrore dhe kabinetet do të kurseheshin mesatarisht 3,6 milion euro për një mandat qeverisës”, thoshte një raport këtij instituti i para tri viteve.

Një organogram i tillë do të mund ta efektivizonte më shumë punën e qeverisë në koordinim të brendshëm ndërsa do t’i shpëtonte buxhetit miliona euro të cilat mund të destinoheshin në rastet sikur ky i Fushë Kosovës qoftë përmes angazhimit të stafit apo përmirësimit të infrastrukturës shkollore.

Një vend tjetër ku vendi ka nevojë urgjente për rritje të investimeve është edhe shëndetësia. Sallat e pacientëve në QKUK në krahasim me zyrat qeveritare në Prishtinë janë dy botë krejt të ndryshme. Për më tepër, mungesa e cilësisë së shërbimeve në institucionet publike të shëndetësisë në Kosovë i detyron kosovarët të derdhin miliona nëpër klinika private në shtetet përreth, sidomos në Maqedoni.

Por kostoja financiare e një qeverie kaq të madhe në numër do t’i bëjë më të vogla mundësitë për investime në disa fusha më urgjente për të mirën e qytetarëve.

Para një viti, nënkryetari i partisë së Haradinajt, Ahmeti Isufi, ia kishte mveshur sufiksin pezhorativ “kinez” kabinetit qeveritar të Isa Mustafës për ta përshkruar megalomaninë e qeverisë që, për hir të së vërtetës, kishte futur në listë pagash shumë më shumë njerëz se që kishte nevojë.

Por të shtunën e kaluar, Haradinaj i priu një grupi zëvendës kryeministrash e ministrash që në numër janë shumë më shumë se kabineti qeveritar që vetë partia e tij e kritikonte para një viti.

Ramush Haradinajt mund edhe të mos i duket i rëndë pazari i akshamit në ndarjen e ministrive.

Këtë mund ta kuptojë tek në takimin e parë eventual të përbashkët të qeverive të Kosovës e Shqipërisë kur çetës së 27 anëtarëve të kabinetit të tij do t’i dalë përballë ekipi 15 anëtarësh i qeverisë së sapovotuar të Edi Ramës.