Vetura familjare e ministrit Memli Krasniqi, e djegur mbrëmë në Prishtinë.

Qeveria Fajëson 'Parapolitikën' për Djegien e Veturës Familjare të Ministrit

Qeveria e Kosovës e ka dënuar incidentin e orëve të para të mëngjesit të sotëm kur vetura familjare e Ministrit të Bujqësisë, Memli Krasniqi, u përfshi nga flakët.

Sipas qeverisë, sulmi ndaj ministrit Krasniqi është kryer “nga njerëz të cilët pasi kanë humbur arsyen, duke mos zgjedhur mjete dhe mënyra radikale, po përpiqen ta zhysin vendin në kaos dhe anarki, për përfitime të caktuara”.

“Ky sulm i paprecedentë kriminal, i ndodhur në vazhdën e sulmeve që janë kryer së fundi kundër bartësve legjitimë të institucioneve të Kosovës dhe ministrit Krasniqi, nga grupe anarkiste parapolitike, synon të krijojë atmosferë të dhunës dhe frikës, si dhe të pengojë punën e Qeverisë së Kosovës dhe rezultatet konkrete të Ministrisë së Bujqësisë si një ndër sektorët prioritar për zhvillimin ekonomik të vendit”, thuhet në deklaratën e qeverisë.

Qeveria u ka bërë thirrje organeve kompetente të rendit dhe të drejtësisë, që të marrin të gjitha masat ligjore ndaj kryesve të këtyre sulmeve kriminale dhe të parandalojnë përsëritjen e tyre në të ardhmen.

http://kallxo.com/vetura-e-memli-krasniqit-ne-flake/

“Qeveria e Republikës së Kosovës, në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Kosovës, shpreh përkushtimin e plotë për zhvillim ekonomik, ndërtimin e gjithanshëm të shtetit dhe fuqizimin e partneritetit strategjik me SHBA-të dhe vendet tjera mike, përkundër përpjekjeve që grupe të izoluara po bëjnë për sabotimin e këtyre objektivave nacionale të qytetarëve dhe të Qeverisë së Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Javë e muaj më parë, veturat zyrtare nëpër qendra të ndryshme të Kosovës kanë qenë cak i shpeshtë i sulmeve nga persona të cilët policia nuk ka arritur ende t’i zbulojë.