Qeveria e Kosovës | Foto: Zyra e Kryeministrit

Qeveria: Dënimi i Mlladiqit- Porosi për Ballafaqim me të Kaluarën

Qeveria e Kosovën shprehu sot qëndrimin e saj në lidhje me dënimin e ish-komandantit të Ushtrisë Serbe të Bosnjës Ratko Mlladiq me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Hagës.

Qeveria në një komunikatë tha se krimet për të cilat u dënua Mlladiqi i ka kryer edhe në Kosovë regjimi i Sllobodan Millosheviiqt

“Serbia e Millosheviqit i ka vrarë 11 mijë civilë shqiptarë në Kosovë, ka djegur e shkatërruar 130 mijë shtëpi, ka marrë pengje lufte 4 mijë të tjerë, ka përdor si mjet lufte dhunimin seksual të mijëra grave, dhe në fund ka deportuar rreth 800 mijë qytetarë shqiptarë jashtë kufijve të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Në komunikatë qeveria përmend edhe propozimin që një i dënuar për krime lufte Vladimir Lazareviq të ligjërojë në akademinë ushtarake të Serbisë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se është sinjal tepër trishtues për brezat që vijnë tendenca e rehabilitimit të kriminelëve të luftës, qoftë përmes heroizmit, qoftë përmes rehabilitimit të tyre, duke i propozuar ata që të ligjërojnë në Akademitë ushtarake”, vijon komunikata.

Qeveria konstaton se dënimi nga Gjykata e Hagës për Mlladiqin është sinjal që qeveritë e rajonit të ballafaqohen me të kaluarën.

“Qeveria e Kosovës vlerëson se porosia që dha sot TPNJ duhet t’u shërbejë në radhë të parë qeverive të rajonit për t’u ballafaquar me guxim me të kaluarën dhe për të reflektuar më shumë vendosmëri për t’u thënë jo politikave etnonacionaliste”, thuhet në komunikatë.

Qeveria teksa e konsideron dënimin e Mlladiqit  vendosje të drejrtëpsisë dhe satisfaksion për familjarët e viktimave, thotë se mesazhi që del nga ky dënim është që të braktiset përfundimisht dhuna për zgjidhjen e çështjeve të hapura.

Sot KALLXO.com shkroi për dënimin e Mlladiqit.

http://kallxo.com/gjykata-denon-mlladiqin/