Ilustrim

Qeveria Aprovon Kërkesat Për Shpronësim të Tokave

Qeveria e Kosovës ka aprovuar dy kërkesa për shpronësim. Kërkesën për shpronësim për interes publik i pronave të paluajtshme të cilat preken nga Ndërtimi i Rrugës Nacionale N9 Prishtinë – Pejë, segmenti Balincë – Pejë, Komuna Malishevë dhe  kërkesën për shpronësim për interes publik i pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i Rrugës Rajonale R 129 Kërpimeh – Mitrovicë”, Zona kadastrale Revuq dhe Pakashticë e Poshtme të Komunës së Podujevës.

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, ka kërkuar nga qeveria të marrë vendim ekzekutiv.

Sipas saj, Departamenti i shpronësimit do të mbajë dëgjim publik me pronarët e këtyre tokave të paluajtshme.

“MMPH pasi ka shqyrtuar  kërkesat në aspektin ligjor dhe teknik ka konstatuar se janë plotësu kushtet ligjore”, tha Reshitaj.

“Pas miratimit të vendimit departamenti i shpronësimit do të mbaj dëgjim publik dhe pronarët dhe zotëruesit  e pronave të paluajtshme brenda 30 ditëve kalendarike pas plotësimit të kushteve do ti propozojnë qeverisë së Republikës së Kosovës miratimin e vendimit preliminar”, tha ministrja.

Në mbledhjen e sotme kabineti qeveritar ka shqyrtuar dhe ka aprovuar vendimin për nismën e lidhjes së marrëveshjes me Bashkimin Evropian për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Unionit për Arsim, Trajnim, Rini dhe Sport –“Erasmus plus”.

Me vendimin e miratuar nga Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme është bërë plotësimi dhe ndryshimi i vendimit për përbërjen e Komisionit të Ankesave për të Huajt. Sipas këtij plotësim ndryshimi, Komisioni i Ankesave për të Huajt ka këtë përbërje: Agron Gashi, Zyra e Kryeministrit, kryesues, Zana Selimi, nga Ministria e Drejtësisë, zv/kryeuese ndërsa, anëtar janë zgjedhur Nexhat Llapaj, nga Ministriae Punëve të Brendshme, Jeton Maliqi, nga Ministria e Punëve të Jashtme, Zemire Limaj, nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Valon Berisha, nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Bashkim Shala nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Kurse, pas shqyrtimit të kërkesës së Agjencisë Kundër Korrupsionit, nga kabineti qeveritar është themeluar Komisioni Disiplinor për kryeshefin Ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave të Kosovës në këtë përbërje: Dardan Gashi, Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, kryesues, kurse anëtarë Mahir Yagcilar, Ministër i Administratës Publike, Uran Ismaili, Ministër i Shëndetësisë, Arben Çitaku, Sekretar i Përgjithshëm i MMPH dhe Fitim Sadiku, Sekretar i Përgjithshëm i MPJ.

Në mbledhjen e sotme kabineti qeveritar ka shqyrtuar dhe ka aprovuar vendimin për nismën e lidhjes së marrëveshjes me Bashkimin Evropian për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Unionit për Arsim, Trajnim, Rini dhe Sport –“Erasmus plus”.

Gjithashtu, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, ka njoftuar kabinetin qeveritar për Agjendën Evropiane të Kosovës. 

Hoxhaj ka shprehur shqetësimin për një qasje selektive që i bëhet vendeve të rajonit në këtë dokument strategjik të Komisionit Evropian. Zëvendëskryeministri Hoxhaj, më tutje tha se dokumenti nuk jep kushte dhe as afate kohore sa i përket procesit të integrimit të vendit tonë, dhe kjo e bënë të paqartë të ardhmen e raporteve të Kosovës me Bashkimin Evropian dhe të implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, të nënshkruar nga Kosova dhe Komisioni Evropian.