Qendrat Pa Kushte për Takimet Prind-Fëmijë

Në Qendrat për Punë Sociale ekzistojnë dhoma të veçanta, në të cilat zhvillohen konktakte në mes të fëmijëve dhe prindit, për të cilat kontakte ka vendosur gjykata.

Siç kanë zbuluar monitoruesit e KALLXO.com, në disa Qendra për Punë Sociale në Prishtinë dhe katër komuna përreth, këto dhoma, të cilat i quajnë Zyra e Kontaktimit, nuk janë të pajisura me inventar të mjaftueshëm e disa janë edhe jashtë funksionit.

Qëllimin kryesor i këtyre vizitave është të mos humbet marrëdhënia prind- fëmijë, përkundër rrethanave të tjera, siç janë rastet e dhunës në familje.

Përjashtim bën Zyra e Kontaktimit në Prishtinë, te “Qafa”, Qendër kjo ndër më të frekuentuarat.

Kjo Zyrë është mjaftueshëm e pajisur me lodra, në mënyrë që fëmijët të ndihen rehat ndonëse gjenden në një ambient jo të zakonshëm për ta.

Sipas zyrtarëve të kësaj Qendre, lodrat u janë dhënë nga donatorët.

E në Zyrën e Kontaktimit në pikën në “Kodrën e Trimave”, e vetmja gjë me të cilën mund të argëtohet një fëmijë është një lodër e vetme.

Zyrtarët e Qendrës thonë që për t’u shndërruar në një ambient të këndshëm për fëmijën duhet një investim shumë i vogël.

Një ambient i rehatshëm është vërejtur edhe në Zyrën e Kontaktimit në Fushë-Kosovë.

Sipas drejtorit të kësaj Qendre, Abaz Xhigolit, këto lodra janë siguruar nga fondet e Komunës, pas kërkesës së tyre.

E Zyra për Kontaktim në Qendrën në Lipjan ka mjaft komoditet. Ajo çka e karakterizon këtë Zyrë është televizori e ambienti i ngrohtë në këto ditë me temperatura të ulëta.

E për këto, drejtoresha Makfirete Shamolli, tha për KALLXO.com se janë dhuruar nga donatorët.

Por, asnjërën nga këto kushte nuk i ka Zyra e Kontaktimit në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë.

Mungesa e ajrit, ndriçimit dhe hapësirës, sipas zyrtarëve e bëjnë të pamundur zhvillimin e kontaktit mes prindit dhe fëmijës.

Rrjedhimisht, kontakti po zhvillohet në prani të zyrtarëve, gjë që po i vë në pozitë të keqe edhe palët kontaktuese edhe po i pengon zyrtarët të kryejnë punët e tyre.

E Zyra e Kontaktimit në Obiliq i përngjan një magazine. E mbuluar me lëngje e materiale teknike, kjo Zyrë nuk po përdoret për atë për çfarë është planifikuar.

Drejtori i kësaj qendre, Haki Mjeku, tha për KALLXO.com se kjo gjendje është momentale, deri sa Komuna t’i furnizojë me inventar.

Në gjendje të rregullt ishte edhe Zyra e Kontaktimit në Podujevë. Por, edhe këtu vërehet mungesë e lodrave për fëmijët.

Në shtator të këtij viti, KALLXO.com ka publikuar disa fotografi përmes së cilave vërehen kushtet e rënda në të cilat punojnë 15 punonjës socialë dhe trajtohen mesatarisht 30 palë në ditë.

http://kallxo.com/pune-sociale-nen-eren-e-kanalizimit/

Afërsisht dy javë pas raportimit të KALLXO.com, ambientet e Qendrës për Punës Sociale te “Qafa” në Prishtinë kanë ndryshuar krejtësisht.