Objekti i Qendrës së Kulturës në Vushtrri | Foto: KALLXO.com

Qendra e Kulturës në Vushtrri Mezi Rri në Këmbë

Edhe pas disa renovimeve të brendshme të bëra nga Komuna e Vushtrrisë në Qendrën e Kulturës “Hasan Prishtina”, objekti i saj mezi rri në këmbë.

Pamja e jashtme e objektit me vlera të trashëgimisë kulturore i ngjason më shumë një ndërtese të braktisur e të lënë pasdore, ndërsa mungesa e shkallëve dhe jostabiliteti i kësaj ngrehine vazhdojnë të jenë shqetësim për qytetarët e Vushtrrisë.

Komuna e Vushtrrisë planifikon që të ndërhyjë për të ruajtur të gjitha ato pjesë të objektit që paraqesin rëndësi për qytetin, ndërsa të demolojë elementet jofunksionale të tij.

“Pas dëgjimeve publike, takimeve në të cilët ështe marrë opinioni i qytetarëve rreth këtij objekti, pasi është bërë edhe  matja e qëndrueshmërisë së objektit, komuna ka për synim ta rinovojë sallën e kësaj qendreje, ndërsa pjesën tjetër ta demolojë deri në atë masë sa të mund të bashkëngjitet me sallën”, tha Rama.

Për ndërhyrjet në këtë objekt që pritet të nisin sivjet, komuna dhe Ministria e Kulturës planifikojnë të investojnë 1 milion e 500 mijë euro, ndërsa punët do të kryhen brenda dy vjetësh.

Shpresa Rama tregon se çfarë do të përmbajë Qendra e Kulturës “Hasan Prishtina” pas renovimit.

“Qendra e Kulturës do të përmbajë të gjitha hapësirat që i duhen kulturës, duke filluar nga arkivi, sallat e baletit dhe të vallëzimit, salla e instrumenteve, ateleja e piktorëve, galeria e artit, salla e madhe e leximit, salla e madhe e librave, salla e teatrit, salla e konferencave, hapësira multifunksionale, si dhe zyra për administratë”, shpjegoi drejtoresha Rama.

Në vitin 2014 KALLXO.com shkroi se objekti i Qendrës së Kulturës në Vushtrri mbeti pa shkallë, pasi ato u larguan kur u rregullua sheshi i qytetit, për të mos u kthyer me pas këtij rregullimi.

Atëherë drejtoresha e Kulturës Shpresa Rama kishte thënë se objekti do të mbetet pa shkallë deri në vitin 2015.

http://kallxo.com/shtepia-e-kultures-ne-vushtrri-mbetet-pa-shkalle/

Në shkurt të këtij viti, KALLXO.com shkroi edhe për dëmtimin e Urës së Vjetër të Gurit, objektit mesjetar të Vushtrrisë, të cilit iu shkëputën disa blloqe gurësh.

http://kallxo.com/demtohet-ura-e-gurit-ne-vushtrri/