Komuna e Vushtrrisë - Foto: Facebook

Qendër e Thirrjeve për Qytetarët në Komunën e Vushtrrisë

Kryetari i komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri ka bërë sot inaugurimin e qendrës së thirrjeve në këtë komunë.

Tani e tutje qytetarët e Vushtrrisë mund të thërrasin në numrin 080042000 për t’u informuar për shërbimet që mund t’i kryejnë në Komunën e Vushtrrisë.

Xhafer Tahiri në inaugurimin e kësaj qendreje tha se kjo qendër do të mundësojë transparencën.

“Qëllimi i qendrës së thirrjeve është që të kemi transparencë dhe t’u lehtësojë qytetarëve marrjen e informacioneve. Kjo do të jetë pa pagesë për qytetarët”, tha Tahiri.

Ndërsa nënkryetari i Komunës së Vushtrrisë Besim Muzaqi tha se çdo qytetar i cili ka nevojë për një shërbim që ofrohet nga Komuna e Vushtrrisë pa pagesë do të ketë mundësi të informohet për dokumentacionin e nevojshëm, si dhe për zyrat ku duhet të orientohet.