“Qëlloja kush?”

Për t’ua lehtësuar kthimin në rutinën e para pushimeve në plazh, të fillojmë me një lojë ‘Qëlloja kush?’ ose “Guess who”, si të doni.

Jam një nga organizatat më të njohura ndërkombëtare, e shtrirë në tërë globin. Promovoj lirinë e të shprehurit, mes tjerash, dhe zyrtarët e mi të lartë i tregojnë botës së ‘njerëzit kanë të drejtë  qasje në informatat që prekin jetën e tyre’. Përkundër kësaj, unë nuk kam politikë të ‘qasjes në informata’ dhe zyrtarët e mi duken tërësisht të hutuar kur i kontaktojnë gazetarët për të pyetur nëse është e mundur t’u lëshojnë dokumente të caktuara.

E qëlluat ende? Jo? Është OKB’ja hipokrite – një organizatë në të cilën një zyrtar i lartë i saj ankohet për ‘kulturën e fshehtësisë dhe mungesën e llogaridhënies’ në botë dhe kërkon nga shtetet që t’i hapin librat e tyre të llogarive, por që vetë veprimtaria e tyre prej miliarda dollarësh të financuara nga taksapaguesit nuk ka – pikërisht ashtu, nuk ka –  politikë lidhur me atë se cilët dokumente duhet ose nuk duhet t’i lëshojë.

Publiku botëror që paguan për OKB’në dhe maskën e saj të jashtëzakonshme nuk ka të drejtë t’i kërkojë dokumentet që i prodhon gjersa liderët e saj dërdëllisin për atë se të gjithë të tjerët duhet të jenë transparentë.

Është sikur nëse Wikileaks, organizata që është e themeluar në çiltërsinë e të qenit të hapur, të operonte në errësirë të plotë, pa ofruar asnjë informatë për publikun se cilat janë motivet, si bëhet financimi i tyre, ose si marrin vendime për atë se çfarë të publikojnë ose jo, dhe pastaj të ankohen kur materialet e tyre dalin jashtë.

Mund ta paramendoni atë? Mirë, s’keni nevojë sepse të dy rastet janë të vërteta.

Është e qartë se dikush nga ata që janë më të zëshmit për transparencën nuk janë gjithmonë më të gatshmit që vetë të jenë të hapur për shqyrtim.

E si është puna me Kosovën? Sigurisht se ata liderë të pistë e të korruptuar, për të cilët lexoj në të gjithë ato raporte ndërkombëtare, më parë do të vdisnin se të lejonin publikun që t’i fuste hundët në punët e tyre.

Në fakt, kam ca lajme për ju – pavarësisht nëse jeni mrekullisht të padijshëm lidhur me fushëveprimin e ligjeve të tyre ose e keni përqafuar rendin e ri botëror, liderët e Kosovës nuk qëndrojnë keq në kuptim të lejimit të shtetasve të saj që të marrin informata.

Kur them shtetasit, në fakt mendoj për ekipin tim në BIRN dhe disa pjesëtarë të guximshëm të shoqërisë civile, sepse sa po shoh askush tjetër nuk po lodhet t’i shfrytëzojë ato ligje. Unë kam parë një varg raportesh gjatë muajve dhe viteve të fundit që ankoheshin se institucionet nuk e kanë zbatuar si duhet ligjin për qasje në dokumente, mirëpo kur flasim me institucionet, ato thonë se askush nuk ka parashtruar kërkesa.

Është e vërtetë se problemet madhore kanë të bëjnë me zbatimin e ligjit. Nuk ka udhëzime për njerëzit se si të kërkojnë dokumente, nuk është ndarë asnjë mjet financiar për t’i trajtuar kërkesat, është injoruar detyrimi për caktimin e një pjesëtari të stafit për këtë detyrë, si dhe afatet e vendosura në ligj janë joreale.

Është e qartë se Kosova ka shumëçka për të bërë nëse dëshiron të bëhet Suedia e Ballkanit, mirëpo të paktën, me pak këmbëngulje, mund t’i merrni dokumentet të cilat i keni kërkuar – ndryshe nga disa shtete të BE’së dhe, natyrisht, OKB’ja.

Kohëve të fundit, me sukses kemi siguruar të gjitha faturat e shpenzimeve të një ministri. Përveç birrave të porositura, verërave të konsumuara dhe biftekëve të provuar, nuk kishte ndonjë lajm sensacional. Ne nuk ishin në kërkim të ndonjë rasti të madh korrupsioni, por thjesht e testonim sistemin dhe kontrollonim për të parë nëse të zgjedhurit për të përfaqësuar qytetarët e Kosovës janë duke i shpenzuar paratë si duhet. Ne do t’i publikojmë këto dokumente në muajt e ardhshëm dhe ju mund të vlerësoni vetë.

Fuqia në lëshimin e këtyre dokumenteve nuk qëndron në storiet që do të krijojnë, ose në gumëzhimat se kush hëngër çka dhe ku, por për të ndikuar në sjelljen e ministrave. Prej tash e tutje, ata do të jenë të vetëdijshëm se nëse e porositin shampanjën më të shtrenjtë në meny, kjo gjë do të mund të zbulohet. Ky është kërcënimi më kredibil që i inkurajon politikanët të mendojnë mirë para se të harxhojnë para të gatshme.

Shoqëritë funksionojnë kur nuk janë vetëm policia, prokurorët, auditorët dhe inspektorët ata që sigurojnë se ligjet zbatohen dhe se paratë shpenzohen si duhet. Kjo është arsyeja pse OKB’ja gjithmonë do të përballet me korrupsion. Ajo duhet ta hapë veten për shqyrtim të mirëfilltë.

Mirëpo edhe opinioni publik, dhe gazetarët në veçanti, duhet ta luajë rolin e tyre, dhe mund ta bëjnë këtë vetëm nëse ekzistojnë ligje për lirinë e informimit. Ndryshe nga OKB’ja, është opinioni publik dhe gazetarët në Kosovë që duhet ta perfeksionojnë lojën e tyre që korrupsioni dhe keqbërja të sfidohen si duhet.