Që 1 Vit i Papunë Doktori i Shkencës në Malishevë

Seanca ku do të shqyrtohej kjo padi nuk është zhvilluar për mungesë të gjyqtarit.

Mbikëqyrësi i Gjykatës në Malishevë Lulzim Paçarizi tha për KALLXO.com se nuk e di arsyen e mungesës së gjyqtarit, ngase nuk është njoftuar nga ai për këtë mungesë.

Edhe dr. Shemsi Morina që ishte drejtor i shkollës në Astrazub të Malishevës, i larguar nga puna pas ardhjes në pushtet të Ragip Begajt, nuk e di arsyen e mungesës së gjykatësit.

“Arsyet e shtyrjes së seancës nuk i di. Gjyqtari ka munguar, arsyetim nuk dhanë. E paditur është Komuna e Malishevës për sistemim në vendin e punës, gjë që më ka takuar me ligj. Sipas udhëzimit administrativ 8/2014 është dashur drejtoria komunale me më ofruar vend pune, pasi që më ka skaduar kontrata e punës si drejtor shkolle, në Shkollën e Mesme të Ulët ‘Ganimete Tërbeshi’ në Astazub, por një gjë të tillë drejtoria për arsim nuk e ka bë, kështu që gati që 1 vit jam i pa punë,” tha Morina.

Udhëzimi Administrativ 8/2014 ka të bëjë me procedurat e zgjedhjes së drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve të institucioneve edukativo-arsimore, ndërsa në nenin 9 parasheh ruajtjen e vendit të punës për drejtorët ose zëvendësdrejtorët që u përfundon mandati, ose shkarkohen, nëse ata më parë kanë punuar në sistemin arsimor.

Morina u largua nga puna në vitin 2014, ndërsa pastaj Gjykata e Apelit urdhëroi kthimin e tij në punë në qershor të vitit të kaluar. Ai qëndroi si drejtor në shkollën e Astrazubit deri në përfundim të kontratës më 1 tetor 2015.

Prokuroria Speciale e Kosovës për largimin nga puna të Shemsi Morinës po e akuzon Ragip Begajn për keqpërdorim detyre.

Nga kjo kohë Morina është i papunë, pasi Komuna e Malishevës nuk ia vazhdoi kontratën me arsyetimin se nuk ka buxhet dhe vende të lira pune në sistemin arsimor të saj.

Doktori i papunë e paditi komunën më 7 dhjetor të vitit të kaluar për kthim në vendin e punës, pasi një person që ka përvojë dhjetëvjeçare në arsim konsiderohet punonjës i përhershëm i tij.

Morina ka përvojë pune 12 vjeçare. Seanca ku do të shqyrtohet padia e Morinës u caktua më 12 maj.

Mujë Sahitaj, avokati i Komunës së Malishevës tha se kjo komunë do ta respektojë çdo vendim të gjykatës.

Për largimet nga puna në Malishevë KALLXO.com shkroi edhe më herët.

http://kallxo.com/arsimtaret-e-larguar-ia-zene-deren-begajt/