Nga një takim i mëhershëm Vuçiq-Putin - Foto: Mikhail Klimentyev/AP/Beta

Putin i Uron Fat Vuçiqit në Zgjedhjet Serbe

Kryeministri serb Aleksandar Vuçiq u takua sot me Vladimir Putinin në Moskë dhe në këtë takim presidenti rus i uroi atij sukses në zgjedhjet presidenciale të 2 prillit.

“Ne jemi të sigurt se zgjedhjet do të mbahen në përputhje me standardet më të larta. Ne qeverisë aktuale i dëshirojmë sukses”, tha Putin në fillim të takimit në Kremlin. (Vuçiq kryeson Qeverinë e tanishme në Serbi si kryeministër).

Kjo deklaratë erdhi disa orë pasi zëdhënësi i Kremlinit, Dimitry Peskov, tha se Rusia nuk kishte ndërmend të ndërhyjë në zgjedhjet serbe.

“Dëshiroj të ju falënderoj ju personalisht dhe vendin tuaj për mbështetjen tuaj për integritetin territorial të Serbisë”, i tha Vuçiq nikoqirit, duke iu referuar refuzimit të Rusisë për të njohur pavarësinë e Kosovës.

Vuçiq në Moskë është shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Zoran Gjorgjeviq, dhe nga Ministri i Punës, Aleksandar Vulin.

Zyrtarisht, qëllimi i vizitës ishte për të folur për përmirësimin e marrëdhënieve ekonomike dhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.

Vitin e kaluar, Rusia i dhuroi Serbisë gjashtë avionë “MiG 29” dhe dorëzimi i tyre ishte një nga temat e takimit.

Vuçiq ka qenë i zënë duke përdorur lidhjet me udhëheqësit botërorë në fushatën e tij presidenciale. Ai është mburrur me marrëdhëniet e tij me presidentin rus, një figurë popullore në Serbi, kur ai i tha transmetuesit kombëtar të Serbisë, RTS, se ai e kishte takuar Putin “më shumë se të gjithë kandidatët e tjerë bashkë“.

Vizita ndodhë pak ditë para zgjedhjeve presidenciale të 2 prillit në Serbi. Kjo ishte hera e tretë që Vuçiq shkoi në Moskë pak para ose pas zgjedhjeve në Serbi.

Ai vizitoi Rusinë një muaj pas zgjedhjeve parlamentare 2016, zyrtarisht për kontroll mjekësor.

Vuçiq vizitoi Rusinë edhe pesë ditë pasi partia e tij fitoi zgjedhjet e përgjithshme në mars të vitit 2014, përsëri është thënë për kontroll mjekësor. Mbetet e panjohur nëse ai u takua me zyrtarë rusë gjatë asaj vizite.

Vuçiq u takua edhe me kancelaren gjermane Angela Merkel më 14 mars. Një kandidat rival në zgjedhjet presidenciale, Sasha Jankoviq, e akuzoi se po i keqpërdorë takimet e tilla të nivelit të lartë për të fituar pikë politike.