Presidenti rus, Vladimir Putin

Putin: Në Ukrainë Mund të Ndodhë një Masakër si në Srebrenicë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, deklaroi se marrëveshja e Minskut për armëpushim në Ukrainë nuk po funksionon, pasi që autoritetet në Kiev nuk kanë vullnet që të fillojnë procesin politik.

Ai madje në një moment pjesët lindore të Ukrainës, të cilat po mbahen nën kontroll nga separatistët prorusë, i krahasoi me Srebrenicën.

Në Konferencën vjetore për shtyp, në të cilën morën pjesë 1640 gazetarë, Putin tha se është e vërtetë që në pjesët lindore të Ukrainës, më saktë në Donbas, janë formuar njësi ushtarake, të cilat veprojnë në interes të popullatës, ngase sipas tij, po të mos ekzistonin këto njësi, batalionet e ushtrisë ukrainase do të kryenin një masakër të ngjashme me atë në Srebrenicë, gjatë luftës në Bosnje, shkruan rtv21.tv.

I pyetur nga gazetarët se a do të funksionojë marrëveshja START me Washingtonin, për reduktimin e armatimit, Putin tha se Rusia nuk do të tërhiqet nga kjo marrëveshje, të cilën e cilësoi si tejet të rëndësishme për Moskën dhe shtoi se janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës ato, të cilat po tërhiqen në mënyrë të njëanshme nga marrëveshjet.

Ai më tutje foli edhe për presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trumpin, duke thënë se nuk i takon atij të vlerësojë punën e presidentit amerikan, por shtoi se ai ka vërejtur të arritura serioze në punën e Trumpit.

Duke folur për lidhjet e pretenduara të fushatës së Trumpit me Kremlinin, Putin tha se janë këto gjepura dhe shpikje nga ana e njerëzve, të cilët po tentojnë të delegjitimojnë Trumpin.

Ai gjatë konferencës gjithashtu tha se do të kandidojë si kandidat i pavarur për një mandat të ri si President dhe shtoi se shpreson se do të mbështetet nga disa parti dhe organizata publike.

Megjithatë, Putin qartësoi se nuk dëshiron të flet tani për programin e tij./21Media