Presidenti rus, Vladimir Putin, Foto: REL/AP

Putin Fiton me Mbi 70 Për Qind të Votave

Rezultatet e para të zgjedhjeve presidenciale në Rusi tregojnë se Vladimir Putin do ta udhëheqë këtë vend edhe për gjashtë vjet të tjerë.

Me vota e numëruara deri më tash, Putin ka siguruar 73.9 përqind të tyre, duke mundur lehtë konkurrentin më të afërt.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kandidati i Partisë Komuniste, Pavel Grudinin, ka dalë i dyti me 15.7 përqind të votave, i ndjekur nga ultranacionalisti Vladimir Zhirinovsky me 6.9 përqind dhe gazetarja Ksenia Sobchak me 1.3 përqind. Katër kandidatët e tjerë kanë marrë më pak se 1 përqind.

Udhëheqësi kryesor i opozitës, Alexei Navalny, nuk është lejuar të garojë në zgjedhje.

Sipas mediave ruse, pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë 63.7 përqind – më e ulët se në zgjedhjet e vitit 2012.

Fushata e Putinit ka shpresuar për pjesëmarrje më të madhe që do t’i jepte atij mandatin më të fuqishëm të mundshëm.

Duke hedhur votën e tij në Moskë, Putin ka thënë se “çdo” rezultat që i lejon atij të vazhdojë si president, do të ishte një “sukses”.

“Jam i sigurt se programi që ofroj unë është i duhuri”, ka thënë Putin.

Videot e postuara në mediat sociale kanë treguar parregullsi në disa qytete në Rusi. Sipas disa pamjeve, zyrtarët zgjedhorë i kanë mbushur kutitë me fletëvotime.

Por, sipas agjencisë ruse të lajmeve Interfax, shefja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ella Pamfilova, ka thënë se nuk ka pasur shkelje të rënda.

Me vlerësime të larta dhe me kontroll në të gjitha nivelet e pushtetit, Putin është pritur t’i fitojë zgjedhjet.

Ai është zgjedhur për herë të parë president i Rusisë në vitin 2000, pasi presidenti Boris Yeltsin ka dhënë dorëheqje në ditën e fundit të vitit 1999 dhe e ka bërë atë ushtrues detyre.

Që nga ajo kohë, Putin ka qenë në pushtet herë si president, herë si kryeministër.​ (REL)