Pushteti në Pejë Merr Kritika për Raportin e Shpenzimeve

Asamblistët opozitarë të Pejës kritikuan udhëheqjen e Komunës kur diskutuan për raportin e shpenzimeve dhe të hyrave për vitin e kaluar.

Naim Sahiti, asamblist i AAK-së, tha se asnjë buxhet nuk mund të quhet i suksesshëm nëse 60 për qind  e tij shkon në paga.

Ai theksoi se sipas raportit një milion euro nuk janë shfrytëzuar dhe sipas tij kjo është një shumë e madhe.

“ Ky raport i buxhetit tregon se buxheti prej 1 milion e 336 mijë euro nuk ka mund të shpenzohet ngase nga 23 milionë e 384 mijë janë shpenzuar veç 22 milionë e 47 mijë euro”, tha Sahiti.

Vërejtje patën e këshilltarët e tjerë nga AAK-ja për raportin e të hyrave dhe shpenzimeve për vitin 2016.
Ndërsa, asamblistja nga radhët e Vetëvendosjes, Mevlyde Idrizi, tha se udhëheqësit komunalë shumën buxhetore prej 1 milion eurosh të vitit e kaluar me qëllim e kanë lënë për këtë vit, pasi që sipas saj është vit i fushatës zgjedhore.

Kritika ajo pati edhe për  shumën e shpenzimeve buxhetore për avokatin e kontraktuar nga Komuna.

“Në sa lëndë jemi përfaqësuar Komuna e Pejës nga avokati i Komunës duke e pasur parasysh që kemi shpenzuar 11 mijë e 260 euro?”, pyeti ajo.

Pushteti kritika mori edhe nga asamblistë të PDK-së, parti që është në koalicion me LDK-në në Pejë.

Drita Haxhiu tha së shumica e drejtorive kanë kaluar shpenzimet e planifikuara për vitin 2016 te kategoria mallra dhe shërbime.

“Në përgjithësi nëpër të gjitha drejtoritë shpenzimet kanë kaluar planifikimin për mallra dhe shërbime, ndërsa është thënë që do të këtë ulje të shpenzimeve”, tha ajo.

Edhe asamblistët të tjerë nga partneri i koalicionit shprehën shqetësimet për raportin e shpenzimeve buxhetore të vitit 2016.

E për kritikat për rritjen e numrit të të punësuarve në sektorin e arsimit drejtori i Financave, Jeton Abazaj, dha këtë shpjegim.

“Të arsimi fillore ka tejkalim të vendeve të punës se ato lehona nuk e lirojnë vendin e punës, domethënë duhet mu bo zëvendësimi edhe ajo e merr pagën sipas ligjeve që janë në fuqi për pushim të lehonisë edhe nuk lirohet komplet vendi i punës. Kjo është arsyeja pse po del ai tejkalim te arsimi fillor”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i Komunës, Gazmend Muhaxheri, tha së avokati i Komunës po bën një punë të mirë pasi disa raste  shumë të rëndësishme ka arritur t’i fitojë.

Ai po ashtu tha se edhe rastet e humbura avokati i kontraktuar i Komunës i ka rikthyer në rigjykim.