Pushim Tatimor për Këndellje të Bizneseve

Ministria e Financave dhe ajo e Tregtisë dhe Industrisë mbajtën tryezën publike për hartimin e Udhëzimit Administrativ për Kriteret dhe Procedurat për Përfitimin nga Pushimet Tatimore, në të cilën morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve dhe bizneseve.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, tha se në vazhdën e krijimit të ambientit më të favorshëm për sektorin privat, me anë të këtij udhëzimi administrativ pritet që të stimulohet zhvillimi ekonomik.

“Me këtë udhëzim administrativ përcaktohen kriteret dhe procedurat për pushimet tatimore dhe lehtësirat e veçanta për biznese që do të  përfitojnë lirime nga Tatimi në të Ardhura të Korporatave për 1- 6 vjet, varësisht prej shumës së investimeve dhe numrit të vendeve të reja të punës. Dispozitat e këtij udhëzimi administrativ janë të zbatueshme për të gjitha bizneset të cilat investojnë dhe krijojnë vende të reja të punës”, u shprehë Hoti.

Ai gjithashtu theksoi se ne si Qeveri jemi të përkushtuar në përkrahjen e investimeve të reja për hapjen e vendeve të punës.

Hykmete Bajrami, Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, tha se ministria që ajo drejton tashmë ka proceduar Projektligjin për Investime Strategjike dhe do të jetë një bazë e mirë që ky udhëzim të funksionojë.

Ndërsa, Sami Salihu nga Administrata Tatimore e Kosovës prezantoi draftin dhe tregoi kriteret, procedurat e përfitimit që duhet t’i plotësojnë bizneset dhe përjashtimet që parashihen me këtë udhëzim administrativ.

Sipas Salihut biznesmenët që planifikojnë të investojnë mbi 10 milionë euro dhe krijojnë 120 vende të reja të pune për tre vjet, nuk do të paguajnë tatim për 6 vjet. Po ashtu, do të ketë lehtësira tatimore edhe për bizneset që planifikojnë të investojnë më pak se 10 milionë euro, përkatësisht 5 milionë, 2 milionë dhe 500 mijë euro.

Përjashtime nga këto pushime tatimore do të kenë bizneset që merren me tregti dhe me aktivitete të  lojërave të fatit.

Gjithashtu, në këtë udhëzim administrativ është paraparë që 20 për qind e të punësuarve duhet të jetë nga Agjencia për Promovim të Punësimit që funksionon në kuadër Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Përfaqësues të Odave Ekonomike që veprojnë në Kosovë dhe përfaqësues të bizneseve, hasën shumë lëshime në udhëzimin për pushimet taatimore dhe dhanë vërejtjet e tyre për to.

Në fund, hartimi i këtij udhëzimi administrativ nga të gjithë pjesëmarrësit u cilësua si shumë i nevojshëm.