Pushim me Arinjtë

Ende është vera – don me ikë prej kufizimeve dhe streseve që të pengojnë; don me u shtri, me luajtë, me gjetë diku  një vend e me u ul në fllad, me hangër ushqim të mirë, me ba miq të rinj…

Kështu ndihet Kasandra. Ajo është njëra nga trembëdhjetë arinjtë në Kosovë që janë shpëtue nga kafazët e restoranteve nga Vier Pfoten International (Katër Putrat) dhe është marrë në ambientin e ri dhe të rehatshëm në Parkun e Arinjve që është themelue këtë verë afër liqenit të Badovcit. Tue shikue qimet e saj të reja verore, dhe tue shikue do prej arinjve që janë kojshitë e saj të rinj, tue luajtë në pishina ose tue shijue hijen në hapësirat e parkut, mundesh me pa që këto janë krijesa që po argëtohen këtë verë duke shijuar lirinë e re.

Dhe tash ditët e tyre në kënaqësi bëhen pjesë të pushimeve të të tjerëve në Kosovë. Parku i Arinjve po tërheq më shumë sesa 400 vizitorë në muaj, dhe në një shtet ku nuk ka shumë vende turistike, as shumë njohuri për ta, shpejt po fiton nam si diçka e pashmangshme për njerëz që bajnë shëtitje në Kosovë.

Parku nuk ka parashikue me pritë kaq shumë arinj kaq herët dhe hapësira edhe më të mëdha – me deri katër hektarë për secilin ari – ende janë tue u krijue. Afati për shpëtimin e arinjve ishte ba më herët kur, në maj, dy arinj prej një restoranti në Mitrovicë u gjetën të vrarë, si thuhet për organet dhe ekzistoi rreziku i vrasjes edhe për arinjtë që janë nëpër kafaze në vendet tjera. Mirëpo organizata kënaqet që procesi i përshpejtuar i shpëtimit nënkupton që tash nuk ka asnjë ari të robëruar në Kosovë. Operacioni për shpëtimin e arinjve ishte një tregim gjerësisht i raportuar si sukses nëpër botë dhe kjo mund të jetë arsyeja pse vizitorët, tue përfshirë edhe turistët, diasporën dhe banorët e Kosovës, të huaj dhe vendas, vijnë për me i pa arinjtë në shtëpinë e tyre të re.

Padyshim, do të frymëzohesh prej çka shihet këtu. Asnjëra prej kafshëve nuk kanë pasë qasje në ujë kur ishin mbajtur në kafazë, pra është shumë freskuese me pa një ari të madh tue u përplasë në vaskë, tue nxjerrë çikla në ujë dhe tue luajtë me valë që krijohen.

Arinjtë janë ushqyer tri herë në ditë me pemë dhe perime të freskëta, si dhe bukë dhe peshk ton. Kujdestarët e tyre ndryshojnë jo vetëm dietën e arinjve, por edhe mënyrën si shërbehen.

‘Në ambient natyror, shumica e kohës për një ari kalohet në kërkimin e ushqimit, pra ne përpiqemi me krijue një përvojë të ngjashme tue u fshehë ushqimin që arinjtë duhen m’e zbulue,’ shpjegon Jeta Lepaja nga Vier Pfoten. Derisa flet, mbas asaj një arushë – më e vogël në park dhe vetëm dyvjeçare, me emrin Hope, luan me një top që ishte mbushur me pemë të cilat ajo duhet t’i gjente.

Buxheti ditor për ushqim që hahet prej secilit ari çdo ditë është rreth 22kg dhe është kostoja më e madhe, sidomos në periudhën para dimrit, kur arinjtë trashen si përgatitje për kohën e ftohtë. Nëse don me kontribue diçka për mirëmbajtjen e Kasandrës, Hope-s dhe miqve të tyre, mundesh edhe me dhurue para në kuti për donacion te hymja e parkut, por edhe mundesh me marrë me veti një kuti peshk ton kur e viziton këtë vend, dhe me lanë te kujdestarët.

Emri Hope (‘Shpresa’) – i votuar në Facebook mbasi nuk ka pasë një emër kur ishte në robëri – është një përkujtim i mirë për çka ofron Parku i Arinjve. Jo vetëm një jetë më të mirë për të gjithë këta arinj, por edhe një përvojë edukuese dhe frymëzuese për vizitorët. Kosova nuk njihet për dashuri ndaj kafshëve, por besoj që çdo njeri që viziton Parkun do të kthehet si person më i butë, më i dashur.

Për të mbrri në Parkun e Arinjve, merre rrugën për Gjilan (autobusët nisen prej Prishtinës çdo 15 minuta prej të hënave deri të premteve) dhe zbrit te restorant Tempo, përtej liqenit të Badovcit. Ka një shteg që çon në Park që merr rreth 25 minuta ecje në këmbë, ose shumë më pak nëse ke makinë dhe shkon me të. Pranë shtegut ka fusha që ofrojnë mundësi të mira për një piknik. Parku hapet 7 ditë në javë dhe hyrja është falas, mirëpo donacionet janë të mirëseardhura.

Elizabeth Gowing është bashkëthemeluesja e The Ideas Partnership, një OJQ kosovare që shfrytëzon fuqinë e vullnetarëve me luftue sfida në edukim, trashëgimi kulturore dhe mjedis. Gjithashtu është autorja e Travels in Blood and Honey; becoming a beekeeper in Kosovo (Signal Books, 2011) dhe Edith and I; on the trail of an Edwardian traveler in Kosovo – www.edith-and-i.com – për Edith Durham, I botuar sivjet. Mund të kontaktohet në [email protected]