Gazetari e shkrimtari, Shaban Arifaj, gjatë promovimit të librit të tij.

Punimi i Master-it Kthehet në Libër për Gazetarinë e Folur

Disa vite pas përfundimit të masterit, tema e diplomimit e gazetarit dhe shkrimtarit Shaban Arifaj është bërë libër me titullin “Gjuha, Zëri dhe Figura në Radiotelevizion”.

Recencionisti i librit, Rrahman Paçarizi tha se libri Arifajt tregon se një e folur standarde është shumë e rëndësishme në gjuhën e folur në radio dhe në televizion.

“Libri jep një kronologji të zhvillimit të gjuhës së folur në radio dhe në televizion në historinë e mediave shqiptarë në Shqipëri dhe në Kosovë…përmend spiker dhe prezantues radio-televiziv që nga fillimet e transmetimit radio difuziv e deri tek transmetimet televizive”, tha Paçarizi.

Sipas tij, libri ka rendësi të madhe sepse të gjitha tezat i ka të mbështetura në referenca.

“Ai sjell të dhëna të rëndësishme duke bërë dallime në mes forcës, intensitetit dhe ngjyrës së zërit si tri elementet më të rëndësishme përbërëse të zërit përmes të cilës realizohet gjuha si e folur”, tha Paçarizi.

Shaban Arifaj, autori i librit “Gjuha zëri dhe figura në radiotelevizion”, tha se në këtë libër është shkrirë përvoja e tij që ka pasur në prezantim dhe në gazetarinë radio-televizive.

“Besoj që do të ju shërbejë të gjitha gjeneratave, jo vetëm gjeneratave të reja të gazetarëve por edhe gjeneratave që merren me gazetari sepse përmban shumë elemente të cilat janë udhërrëfyes për kultivimin e zërit, gjuhës dhe për paraqitjen vizuale para kamerave të televizioneve”, tha ai.