Protesta e punëtorëve teknikë të UP-së - Foto: KALLXO.com

Punëtorët Teknikë të Fakulteteve Kërcënojnë me Bojkot

Dhjetëra punëtorë teknikë të fakulteteve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” janë mbledhur sot para Rektoratit për të kërkuar pagesën e 0.5 për qind të stazhit të punës. Ata kanë kërcënuar se nëse nuk u plotësohen kërkesat do ta ndërpresin punën.

Kërkesat e tyre ata i bazojnë në kontratën kolektive të nënshkruar në vitin 2015 që sipas tyre u garanton pagesën e 0.5 përqindëshit për stazhin e punës.

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Sektorit Privat ka paralajmëruar bojkot të punës nëse në afat të shkurtër nuk marrin përgjigje pozitive nga Rektorati.

“Ne jemi të obliguar që për një kohë shumë të shkurtër nëse rektorati nuk e merr seriozisht ta bëjë pagesën, ne në mënyrë ligjore do ta ndërpresim punën dhe deri në momentin që të mos bëhet pagesa ne nuk do të punojmë”, tha Azemi.

Në protestë morën pjesë punëtorë nga kompania e pastrimit si dhe ata të kompanisë për sigurim “Rojet e Nderit”.

Hysni Gashi, kryetar i Shoqatës së këtyre punëtorëve, konstatoi se rektorati po i diskriminon këta punëtorë në shumë aspekte, ndërkaq kërkesat e mëparshme nuk janë marrë parasysh.

“Kemi bërë kërkesa disa herë me shkrim, kemi pasur edhe bisedime me prorektorin mirëpo nuk kemi arritur kurrfarë marrëveshje. Jemi shumë të pakënaqur dhe në të gjitha aspektet të diskriminuar se edhe stimulimet nuk i gëzojmë ndërsa stafi i tyre (Rektoratit) i gëzon”, deklaroi Gashi.

Tubimi është bërë nën organizim të Sindikatës të Sektorit Privat dhe sipas tyre numri i punëtorëve është rreth 250.