Konferenca e Sindikatës së Telekomit të Kosovës - Foto: KALLXO.com

Punëtorët e PTK-së i Druajnë Pasojave të Dënimit nga Arbitrazhi

Punëtoret e Telekomit të Kosovës kanë frikë se nga dënimi prej 30 milionë eurosh i PTK-së nga Gjykata e Arbitrazhit do ta pësojnë vetë ata.

Federata Sindikale e Post-Telekomunikacionit të Kosovës ka bërë përgjegjës bordin e drejtorëve të asaj kohe për këtë dënim.

Kreu i Sindikatës, Lahmi Balaj, tha që kryesia dhe anëtarët e kanë kundërshtuar këtë kontratë qysh në fillimet e saj.

Sipas tij, kontrata në mes të PTK-së dhe “Z-Mobile” është e falsifikuar.

“Kemi të bëjmë me 2 lloj kontrata. Një prej kontratave është e aprovume në bordin e drejtorëve të Telekomit të Kosovës, ku është e aprovume nen për nen dhe aty thuhet që PTK pajtohet që “Z-Mobile” t’i merr 2 numra, 045/5 dhe 045/6, që i bjen 200 mijë numra. E keqja e kësaj është se nuk është nënshkruar kjo kontratë. Njerëzit që e kanë përpiluar për nënshkrim atë kontratë, e kanë heq një nen ku thuhet decidiv që numrat 045, 1,2,3,4,7,8,9 janë numra ekskluzivisht të bllokum për Telekomin e Kosovës”, tha kryetari i Sindikatës.

Ata kanë kërkuar nga Prokuroria që të nisë hetimet edhe një herë, ani pse Gjykata e Arbitrazhit tashmë ka dhënë fjalën e vet.

Përveç prej prokurorisë ata kanë kërkuar edhe nga Qeveria që të merret me bordin e asaj kohe, për shkak se kanë qenë aty me vendim të Qeverisë.

Ndërsa sekretari i Sindikatës, Ajet Ahmeti, tha se nuk do të lejojnë që pagesa e dënimit të bëhet në kurriz të tyre.

“Ne si Sindikatë kemi kërkesa shumë të qarta. Nuk do të pranojmë në asnjë moment, në asnjë mënyrë, që këto gabime strategjike që janë bërë prej fillimit deri më sot të thyhen në kurrizin e punëtorëve”, tha Ahmeti.

Sipas tyre ka qenë e panevojshme që Telekomi të hyjë në një kontratë të tillë.

Kompania “Z-Mobile” e cila ka fituar gjyqin ndaj Telekomit të Kosovës, kishte thënë se ka qenë e detyruar t’i drejtohej Gjykatës për shkak se bisedimet me Telekomin nuk po ofronin zgjidhje dhe se kontrata nuk po respektohej.

http://kallxo.com/z-mobile-u-detyruam-ti-drejtohemi-arbitrazhit/

Qeveria e Kosovës është në arbitrazh për PTK edhe me kompaninë  “ACP Axos Capital” GMBH, për shkak të dështimit të procesit të privatizimit të PTK-së.

http://kallxo.com/qeveria-mobilizohet-per-gjyqin-e-privatizimit-te-ptk-se/

Drejtori menaxhues i Telekomit, Agron Mustafa, në dhjetor të vitit të kaluar, duke folur për vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit, kishte thënë se është një prej vendimeve më të rrezikshme kundër korporatës dhe se rrezikon të ardhmen e saj.

http://kallxo.com/mustafa-telekomi-kosoves-rrezikon-te-falimentoje/