Kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, Valon Prestreshi Foto: Facebook

Punëtorët e Postës Protestojnë Kundër Autoritetit të Konkurrencës

Punëtorët e postës të hënën do të fillojnë një protestë para Kuvendit të Kosovës për të kërkuar shfuqizimin e vendimit të Autoritetit të Konkurrencës, i cili urdhëroi largimin e filialeve të kësaj ndërmarrjeje nga institucionet publike.

Në komunikatën e tyre, ata thonë se protestat nuk do të ndalen deri në shkarkimin e kryetarit të Komisionit të AKK-së, Valon Prestreshi.

“Ne kërkojmë anulimin e vendimit ose dorëheqjen e menjëhershme të kryetarit të Komisionit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës (KAKK), Valon Prestreshi, i cili me ndihmën e 2 nga gjithsej 5 anëtarëve të  AKK-së  ka nxjerrë një vendim të padrejtë dhe të paligjshëm që dëmton financiarisht mbi 1000 punëtorë dhe mbi 1000 familje për interesa të 3-4 kompanive private”, thuhet në komunikatë.

Punëtorët e Postës së Kosovës gjithashtu do të dorëzojnë një peticion të nënshkruar nga të gjithë punëtorët për të kërkuar shfuqizimin e vendimit. Ky vendim mund t’i shkaktojë humbje Postës së Kosovës mbi gjysmë milioni euro në vit.

“Nuk do të ndalemi përderisa përfaqësuesit e popullit në Kuvendin e Kosovës të deklarohen se a janë në shërbim të 3-4 individëve apo të ndërmarrjes publike, pronë e Republikës së Kosovës”, vazhdon tutje njoftimi.

KALLXO.com ka tentuar për ditë me radhë të kontaktojë kryetarin e Komisionit të AKK-së Valon Prestreshi por deri më tani ai nuk ka dhënë përgjigje në pyetjet që i janë adresuar.

Gazeta Jeta në Kosovë dje ka raportuar për vendimin e AKK-së që tani për tani po zbatohet vetëm nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe jo nga disa komuna që kanë të nënshkruar marrëveshje të njëjtë bashkëpunimi me Postën e Kosovës.

Urdhri që Rrezikon Qëndrueshmërinë Financiare të Postës