Greva e punëtorëve të "Pastrimit" në Klinë - Foto: KALLXO.com

Punëtorët e ‘Pastrimit’ Përsëri në Grevë për Rrogat e Papaguara

Punëtorët e kompanisë “Pastrimi” në Klinë kanë mbajtur përsëri grevë një muaj pas grevës disaorëshe të mbajtur në korridorin e Komunës së Klinës.

Ata kanë kërkuar përsëri pagat të cilat nuk ua ka paguar kompania “Vital” e cila ka qenë e kontraktuar nga Komuna e Klinës.

Hasije Bacaj, njëra nga punëtoret e kompanisë së pastrimit foli për premtimin që e ka marrë nga komuna për padinë ndaj kompanisë “Vital” që u ka borxh disa rroga punëtorëve të saj.

“Komuna na kanë thonë që na kemi me i padit në gjykatë, çka ka nuk e di, besoj se nuk kemi me i marrë kurrë paret” tha Hasije Bacaj.

Esat Rraci, drejtori i Administratës në Komunën e Klinës  gjatë grevës së para një muaji kishte thënë për KALLXO.com se ka bërë marrëveshje me punëtorët që brenda një afati dyjavor do t’ia dërgojnë shkresën e fundit kompanisë dhe se nëse nuk përgjigjet kompania brenda këtij afati, komuna do të shkojë me përmbarues privat.

“Përgjigja është kthyer negative nga kompania “Vital” tash në dakordim me punëtorët, zyra ligjore në kuadër të komunës do të bëjë padi në gjykatë ndaj kompanisë” tha Esat Rraci.

Grevistja Hasije Bacaj tha se grevistët kanë provuar të flasin në telefon me Shpend Demollin, drejtorin e kompanisë “Vital” por, sipas saj, ai nuk ua ka hapur telefonin.

Gjithashtu edhe KALLXO.com ka provuar disa herë ta marrë në telefon Shpend Demollin, por ai nuk është përgjigjur për të dhënë versionin e tij për këtë çështje.

Sipas punëtorëve, ish-kompania e pastrimit “Vital” ka falimentuar dhe është larguar qe një vit e gjysmë duke u mbetur borxh me katër ose pesë rroga punëtorëve të saj.

Kontrata mes Komunës së Klinës dhe kompanisë së pastrimit “Vital” është nënshkruar prej 28 gushtit të vitit 2015 deri me 1 janar të vitit 2016 dhe sipas drejtorit të administratës, Esat Rraci shkak për ndërprerjen e kontratës ishte papërgjegjshmëria e kompanisë në lidhje me kontratat e punëtorëve.

KALLXO.com ka shkruar gjithashtu edhe për grevën e para një muaji të punëtorëve të kompanisë së pastrimit në komunën e Klinës.

http://kallxo.com/punetoret-e-pastrimit-ne-greve-kerkojne-rrogat-e-papaguara/

Vitin e kaluar edhe disa punëtorë të pastrimit të kompanisë “Higjena Publike” në Deçan kishin hyrë në grevë për vonesë të pagave.

http://kallxo.com/greva-e-dyte-per-pagat-e-vonuara/