Punëtorët e Fabrikës së Tubave protestojnë para Qeverisë - Foto: KALLXO.com

Punëtorët e Fabrikës së Tubave Kërkojnë 26 Milionë Eurot

Ish-punëtorët e Fabrikës së Tubave të Çelikut në Ferizaj kanë protestuar sot para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës duke bërë thirrje që t’u paguhen rreth 26 milionë euro, për të cilat ka vendosur gjykata.

Ali Azemi, kryetari i Sindikatës së punëtorëve të Fabrikës së Tubave të Çelikut në Ferizaj, pasi doli nga ndërtesa e Qeverisë, ku kishte mbajtur një takim me njërin nga këshilltarët e kryeministrit Haradinaj, tha se ka marrë premtim që të hënën kryeministri do të dalë me një propozim në lidhje me borxhin.

“Ai e mori obligim që me Zyrën Ligjore me shiku memorandumin dhe me na dhënë një njoftim të hënën. Ky ka qenë propozimi i këshilltarit të kryeministrit. Në lidhje me borxhin ndaj punëtorëve të Fabrikës së Tubave, shuma e borxhit është rreth 26 milionë euro”, ka thënë  Azemi.

Ish-Gjykata Komunale e Ferizajt në vitin 2002 vendosi që punëtorët kanë të drejtë të kompensohen.

Në vitin 2010, Gjykata Kushtetuese obligoi Qeverinë e Kosovës dhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit që për largim të padrejtë nga puna t’i dëmshpërblejë punëtorët me 26 milionë euro.

Vendimi i Gjykatë Kushtetuese përfshin edhe kamatën prej 3 për qind në vit që i bie se borxhi ndaj punëtorëve vit pas viti është rritur. Por punëtorët kanë hequr dorë nga kamata prej 3 për qind dhe kërkojnë që vetëm borxhi prej rreth 26 milionë euro t’u paguhet.

“Ne pranuam që të heqim dorë nga kamata prej 3 për qind, kryeministri me AKP-në kanë pranuar që të paguajnë borxhin prej rreth 25 milionë euro”, është shprehur Ali Azemi.

Kuvendi i Kosovës ka sjellë vendim në mars të vitit 2014, ku parashihet që kompensimi të bëhet në tri faza: në fazën e parë 50 për qind e në dy fazat e tjera nga 25 për qind.

900 punëtorët e kësaj fabrike, të larguar nga puna në vitin 1990 nga administrata serbe e asaj kohe, fituan me gjyq të drejtën e kompensimit prej 26 milionë eurosh, por nuk i kanë marrë ende këto para.

Fabrika i është shitur Arian Hasanit, qytetar nga Ferizaj për 3 milionë e 657 mijë euro në vitin 2007.

Ish-punëtorët e Fabrikës së Tubave kanë bërë grevë qindra-ditëshe në kërkim të realizimit të të drejtave të tyre për të marrë dëmshpërblimin për të cilin ka vendosur drejtësia kosovare.