Konferenca e SBASHK-ut | Foto: KALLXO.com

Punëtorët e Arsimit Ndihen të Ofenduar nga Kryeministri Haradinaj

“Mësuesi ynë ende punon vetëm me shkumës , shpuzë e tabelë dhe në këto kushte arritjet në arsimin tonë janë të mira”, janë disa nga fjalët që Sindikata e Punëtorëve të Arsimit ia ka drejtuar Kryeminstrit Ramush Haradinaj.

Sindikata e Bashkuar për Arsim, Kulturë dhe Shkencë(SBASHK), kanë reaguar ndaj deklaratave të fundit të Ramush Haradinaj se gjendja në arsim nuk është e mirë dhe se duhet të rritet niveli i mësimdhënies.

Në një vizitë të Kryeministrit në Ministri të Arsimit, ky i fundit deklaroi se nuk planifikon të rrisë rrogat e punëtorëve të arsimit dhe askujt në sektorin publik, më shumë se 4 përqind për këtë vit, sa ka premtuar, megjithë kërcënimet e tyre për grevë.

Ata konsiderojnë se me këto fjalë, Kryeministri po i drejton ata drejt grevave dhe për më tepër po e ‘lëndon personalitetin e mësuesit’.

“Ju kryeministër në disa  paraqitje publike  lënduat figurën e mësuesit  dhe zhvleftësuat punën e tyre nëpër dekada e vite duke deklaruar , pa bërë analiza nga ekspertët , se gjendja në arsim është shumë e keqe. Kryeministër shkollat në  Kosovë nga jashtë janë mjaft të bukura, por nga brenda janë tepër të thata sepse në to mungojmë mjetet elementare të punës”, thuhet në reagim.

Ata po ashtu theksuan se kanë pritur nga Haradinaj mobilizim dhe përkrahje për ta.

“I nderuari Kryeministër  ua kemi thënë edhe të tjerëve e po ua themi publikisht edhe juve se asgjë në arsimin e Kosovës  nuk mund të bëhet pa pajtueshmërinë e punëtorëve të arsimit dhe sindikatës së tyre.  Ju mund t’i injoroni  kërkesat e Mësimdhënësve të artikuluara  përmes SBASHK-ut , por në këtë mënyrë po i dërgoni ata drejt grevave”, thuhet në komunikatë.

Në nëntor të vitit të kaluar Sindikata e Bashkuar për Arsim, Kulturë dhe Shkencë(SBASHK), kishte paralajmëruar grevë të përgjithshme, pasi sipas tyre rritja e paralajmëruar e pagave është tejet e ulët.

Në anën tjetër, në dhjetor Kryeministri kishte marrë vendim për rritje të rrogave për vete dhe vartësit e tij.

http://kallxo.com/kjo-eshte-rroga-e-re-e-kryeministrit-dhe-vartesve-te-tij/