Ardit Hotaj pasi shpjegon angazhimin e LSI për vende të reja pune, e ilustron me vendet e lira në burgun e Reçit. Foto: Youtube

Punësimet Fiktive në Burg, Paditen Zyrtarët e LSI-së

Ministria e Drejtësisë kallëzoi në Prokurorinë e Përgjithshme disa përfaqësues të LSI në Shkodër dhe ish-funksionarë të saj, të cilët i akuzon për mashtrim të qytetarëve me vende pune fiktive në këmbim të votës.

“Ministri i Drejtësisë urdhëron kallëzimin në Prokurori të ish-drejtuesve dhe nëpunësve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të përfshirë në këtë skemë mashtrimi, si dhe pezullimin apo shkarkimin e menjëhershëm të tyre nga detyra”, tha Ministria në njoftim për shtyp.

“Ministri i Drejtësisë kërkon hetim penal ndaj z. Ardit Hotaj, me funksion politik – koordinator i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Malësinë e Madhe, si dhe verifikimin e rolit të kandidatëve për deputet për Qarkun Shkodër z. Agron Çela dhe z. Dritan Ylli në këtë proces”, shton njoftimi.

Në një reagim pas njoftimit të ministrit të Drejtësisë se kishte kallëzuar disa funksionarë të LSI-së i dyti në listën e deputetëve po ashtu i përmendur nga ministri, Dritan Ylli, e cilësoi akuzën politike.

“Një sqarim për ministrin Bardhi, të paditur për shkelje të ligjit! Gënjeshtrat, shpifjet dhe mashtrimet e Ministrit të Drejtësisë, s’mund të fshehin gjendjen katastrofike të PD në Shkodër”, shkroi Ylli në profilin e tij në Facebook. Ylli tha se deklarata e Ministrisë së Drejtësisë ishte “vetëm një sajesë e turpshme dhe një spekullim”. Ai tha se më 26 qershor të gjithë “personat e të pushuarit padrejtësisht nga ai, do të rikthehen në vendet e punës”.

Pak ditë pas nisjes së fushatës, më 1 qershor, në një kronikë reklamë për LSI të bërë në një televizion lokal, nga zyrat e kësaj force politike Ardit Hotaj koordinator i saj për Malësinë e Madhe pasi shpjegon angazhimin e  LSI për vende të reja pune, e ilustron me vendet e lira në burgun e Reçit.

Hotaj gjatë kronikës reklamuese ku theksohet se “LSI do të thotë punësim, mirëqenie dhe zhvillim” angazhohet të shpjegojë pse për mbi 400 aplikues për vende pune në burgun e Reçit do kenë një vend të sigurt aty. “Investimi shkon diku rreth 15 mln euro, ku aty do të hapen rreth 400 vende të reja të punës, ato pak a shumë janë të ndara në 342 vende punonjës me uniformë dhe rreth 50 punonjës të administratës”- deklaron Hotaj, ndërsa shton se në faqen zyrtare të Drejtorisë së Burgjeve “të gjithë mund të konsultojnë shpalljen si dhe procedurat dhe dokumentacionin e nevojshëm që aplikantët kanë dorëzuar për të fituar të drejtën e punësimit”.

Po sipas koordinatorit të LSI- së në Malësi të Madhe, i cili nuk ka ndonjë funksion në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, “në përfundim të këtyre procedurave ka mbërritur urdhri i 24 Majit në të cilin janë emërimet e rreth 42 fituesve të parë që janë pjesë e administratës. Shumë shpejt do të përfundojnë edhe procedurat për emërimet e pjesës tjetër të punonjësve të këtij institucioni”, thotë Hotaj në kronikë.

Urdhri që shfaqet në kronikë është firmosur nga  ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve i cili u shkarkua nga detyra pak ditë pas marrëveshjes mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD-së Lulzim Basha, e cila parashikonte që disa drejtori ku emërimet ishin bërë nga LSI të kalonin në kontrollin e opozitës.

Me gjithë ndryshimet në Kodin Penal, në të cilin premtimi për vend pune në këmbim të votës dhe dhënia e votës në këmbim të vendit të punës dënohen me burg, partitë politike dhe kandidatët e tyre vijojnë të përdorin taktika të njëjtë.

Në Shkodër BIRN mësoi nga të paktën dy persona se njerëz të LSI u kishin premtuar atyre vend pune në këmbim të votave, në burgun e Reçit, një investim i Bashkimit Europian, i cili ende pritet të hapet.

I pyetur për këtë Dritan Ylli i tha BIRN se vendet e punës nuk ishin premtuar në këmbim të votave. “Nuk është aspak e vërtetë që të jenë premtu vende pune në këmbim të votave për LSI, punësimet janë ba krejtësisht të rregullta dhe gjithë këto procedura së bashku me fituesit janë shpallë në faqen zyrtare”, deklaron Ylli ndërsa shton se këto lajme kanë një prapavijë politike.

Ministri i Drejtësisë, i cili ka urdhëruar një hetim të plotë administrativ, e sheh ndryshe nga Ylli.

Madje, sipas Ministrisë edhe ish-drejtues dhe punonjës të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, janë përfshirë në këtë skemë mashtrimi të qytetarëve, duke krijuar perceptimin e gabuar se janë punësuar në IEVP Shkodër, që pritet të hapet në muajt në vijim, apo se ata janë në proces emërimi.

“Ministria e Drejtësisë sqaron se nuk është kryer asnjë pranim apo punësim në IEVP Shkodër. Çdo premtim apo deklarim lidhur me këtë çështje është mashtrim për qëllime elektorale”, thotë Ministria.

“Ministria e Drejtësisë informon të gjithë personat që u është deklaruar se janë punësuar në IEVP Shkodër, se janë mashtruar dhe duhet të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë për vënien përpara përgjegjësi penale të personave përgjegjës të kësaj skeme mashtrimi”, përfundon ajo.

*Ky shkrim u përditësua me reagimin e kandidatit për deputet të LSI në Shkodër.