ARKIV: Pamje nga takimi në kuadër të "Javës së Gruas" - Foto: Kallxo.com

Puna Online, Mundësi e Pafundme Punësimi

Për këtë projekt u tha se ofron mundësi të pafundme punësimi.

Me këtë rast, zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik, Besa Zogaj-Gashi, tha se projekti “Gratë në Punë Online” po cilësohet si ide e guximshme dhe po tregon sukses.

Për këtë projekt ajo tha se është ideuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Zëvendësministrja theksoi se pas trajnimit në fushën e teknologjisë informative (IT), vajzat e përfshira në këtë projekt kanë gjetur të paktën një vend pune.

Besa Zogaj-Gashi bëri të ditur se vajzat tashmë të trajnuara kanë realizuar mbi  271 kontrata pune online dhe potencoi se ka vajza që kanë arritur të përfitojnë mbi 20 kontrata të punës online.

“Kur e lansuam projektin, në fazën e parë në dy komuna për pranimin e 100 vajzave konkurruan mbi 1,000 vajza dhe ky ishte një indikator që vendi ynë ka nevojë për një projekt të tillë dhe ekipet e MZhE-së  dhe Bankës Botërore jemi angazhuar që këtë projekt ta shtrijmë në faza tjera për një përfshirje sa më të madhe të vajzave në të gjitha komunat gjë të cilën jemi duke e bërë”, tha ajo.

Anëtar i panelit ishte edhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, i cili theksoi se konkluzat e debateve të “Javës së Gruas 2017” i ndihmojnë institucionet të bëjnë politika më të mira për gratë dhe integrimin gjinor.

“Java e Gruas” është një ngjarje mbarëkombëtare që mbledh gra dhe vajza për diskutimet gjithëpërfshirëse rreth përvojave të tyre.

Ajo organizohet nga OJQ-ja Instituti Kombëtar Demokratik (NDI), i përkrahur nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

Kjo ngjarje ka mbledhur rreth 100 gra përfaqësuese të etnive të ndryshme, partive politike, shoqërisë civile, bizneseve, mediave dhe nga bota akademike.

http://kallxo.com/thaci-potenciali-gruas-kosovare-eshte-shume-madh/

Redaktoi: Naser Sertolli