Projekti për Muzeun e Historisë së Natyrës

Publikohet projekti për Muzeun e Historisë së Natyrës

Muzeu i Historisë së Natyrës pritet të ndërtohet në hapësirën që njihet si Te Pishat e fshatit Sllatinë të Fushë-Kosovës.

Kjo është bërë e ditur në përshkrimin e projektit teknik të kompanisë “Hidroing-DK SHPK”, e cila e ka fituar projektin ideor për ndërtimin e muzeut.

Përderisa Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit e ka hapur tenderin e ndërtimit të muzeut tashmë janë ndarë mbi 4 milionë e 60 mijë euro për këtë proces.

Ndryshe, muzeu do të prezantojë bimët e egra të Kosovës por edhe përdorimin e tyre.

“Është parashikuar të prezantohen vlerat tradicionale të bimëve (veçanërisht atyre të egra) me karakter lokal, të cilat kanë dhe një traditë të përdorimit si për ushqim ashtu edhe në mjekësi dhe zejtari në territorin e Republikës së Kosovës”, shkruhet në përshkrimin e projektit.

Ndër të tjera, kompania ka shkruar se do të ketë edhe përkujdesje nga stafi profesional i Muzeut.

“Përveç ruajtjes dhe promovimit të këtyre vlerave, në kuadër të pjesës së kopshtit do të bëhet edhe kultivimi i llojeve të bimëve vaskulare [bimët e larta] për të cilat do të kujdeset stafi profesional i Muzeut gjithmonë në bashkëpunim edhe me Departamentin e Biologjisë, Institutin për Mbrojtjen e Natyrës si dhe institucionet tjera përgjegjëse për këtë fushë”, thuhet po ashtu në përshkrimin e projektit.

Po ashtu, dokumenti tregon edhe se muzeu do të ketë administratë, holl të ekspozitës së përkohshme dhe të përhershme, restorant, kuzhinë, kënd të informacionit, kopsht të brendshëm etno-botanik e tualete.

Përveç këtyre të fundit, ky dokument tregon se do të ketë edhe sallë me 153 ulëse, e cila për nga ana akustike mendohet të jetë e përshtatshme për diskutime e ligjërata me nivel maksimal të zhurmës prej 35 decibel.