Publikohen Kontratat për Termocentralin, Ministri Kërkon Falje për Vonesën

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka i ka publikuar kontratat komerciale të arritura me kompaninë amerikane ‘Countour Global’ për termocentralin Kosova e Re.

Lluka ka thënë se kontrata do të jetë e publikuar vazhdimisht në ueb-faqen e ministrisë.

“Nuk është publiku në fund të vitit siç kam premtuar për shkak të disa shkaqeve teknike. Kontrata me ‘Countur Global’ është mbi 1000 faqe, do të shpërndahet e printuar, përmes usb-së do të jetë në faqen e MZHE-se. Nuk ka absolutisht asnjë ndryshim të kontratës nga ajo që jemi pajtuar dhe e kemi nënshkruar para Vitit të Ri, do të vazhdoj ta promovoj transparencën”, ka thënë Lluka.

Këtu mund t’i shkarkoni dhe lexoni të gjitha kontratat e nënshkruara, të cilat janë në gjuhen angleze.

Lluka ka premtuar se të gjitha kontratat që do të nënshkruhen nga ana e tij do të publikohen në të ardhmen.

Ministri ka potencuar se interesi i kredisë që do të sigurohet do të luajë rol në koston finale të gjenerimit të energjisë.

“Çmimi është vështirë të thuhet sa euro do të rritet, mirëpo janë shumë faktorë që ndikojnë, për shembull kushtet e kredisë, 70 për qind e të gjithë ndërtimit që është një kontratë 1.3 miliard euro do të jenë në formë të kredisë dhe interesi i asaj kredie luan një rol të rëndësishëm në koston finale të gjenerimit të energjisë. Ne jemi duke u munduar të gjejmë një interes të privilegjuar, të gjejmë një kredi të financuar nga shtetet, të cilat kanë norma te buta të interesit”, është shprehur Lluka.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka përmendi edhe shembullin e Kroacisë ku është financuar një termocentral që është ndërtuar nga Mitsubishi nga Japonia dhe JICA ka dhënë një kredi 0.7 për qind interes.

Gjatë konferencës ai foli edhe për punëtorët e Kosovës A, për të cilët tha se nuk do të mbesin pa punë por do të punësohen në termocentralin ‘Kosova e Re’ dhe nëpër miniera.

“Sa u përket punëtorëve të Kosovës A, KEK-u vazhdimisht është duke e reduktuar numrin e punëtorëve, për arsye se shumë prej tyre dalin në pension por me siguri që një pjesë e tyre do të gjejnë hapësira në termocentralin e ri, nëpër miniera që do të jetë me kapacitete të dyfishuara se ajo aktuale, nuk do të ketë asnjë problem për punëtorët”, ka thënë Valdrin Lluka.

Gjatë konferencës ministri shpalosi edhe bashkëpunimin që e kanë pasur me ekspertët nga jashtë për realizimin e kontratës 1.3 miliard euro të termocentralit ‘Kosova e Re’.

“Ky projekt është duke u zvarritur që 13 vite, ndërsa në 2-3 vitet e fundit ka qenë një ekip mjaft i mirë siç është RWE, që është kompania më e mirë në botë për energji, një ekip ligjor nga Shtetet e Bashkuara që është Honton Williams si dhe një ekip financiar nga Banka Botërore nga IFC, prandaj të gjithë ekspertët e jashtëm profesionalë në bashkëpunim me ata lokalë besoj që kanë bërë një analizë mjaft të mirë, dhe në marrëveshjen e fundit që kemi arritur duke i përmirësuar kushtet besoj që është më e mira e mundshme  që ka mundur të nxirret nga ky termocentral duke mos e zgjatur edhe më tepër kohën për realizimin e këtij projekti”, ka theksuar Lluka.

Ministri po ashtu ka paralajmëruar se nëse norma e kapitalit është më e lartë se ajo që e kanë planifikuar atëherë ata do të dalin nga kontrata.

“Ajo çfarë është e vendosur dhe që është shumë e rëndësishme për neve është kthimi në ekuitet, sepse ajo është kosto më e shtrenjtë e financimit të projektit, pra 30 për qind e financimit të të gjithë 1.3 miliardëshit do të financohet përmes ekuitetit, pra paret e investitorit, kthimi në ekuitet siç e kam paralajmëruar është 18.5 për qind, kemi arritur ta zbresim nga 27 sa ka qenë në fillim. Kosto e kapitalit të huasë është llogarit në mes 8.5 deri në 9%. Ne e kemi kalkuluar normën më të lartë, dhe çdo normë që e sigurojmë nën këtë atëherë do të ndikojë pozitivisht në projekt. Nëse janë mbi këtë normë, ne jemi të lirë të dalim nga kjo kontratë”, ka thënë Lluka.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka thënë se Qeveria e Kosovës e ka marrë obligim të blejë gjithë energjinë që do të prodhojë termocentrali i ri.

“Projekti nuk do të financohet nga buxheti i Kosovës, obligimet e Qeverisë së Kosovës janë ta furnizojmë me qymyr të një kualiteti të caktuar, furnizimi me ujë të vazhdueshëm, pbligimi tjetër që ndoshta është më i madh është blerja e energjisë elektrike, këto janë obligime që i marrim përsipër si shtet”, ka theksuar Lluka.

Nga shoqëria civile në këtë konferencë ishte i pranishëm Agron Demi, i cili ka kërkuar nga ministri një koment për mbylljen e kontratave dhe dokumenteve për këtë proces për gjashtë vjet me radhë, nga ekipi që ka qenë edhe më herët dhe është ende në ministri. Demi potencoi se për këto kontrata edhe gjykata u ka dhënë të drejtë.

Po ashtu Demi tregoi  se çfarë do të ndodhë nëse në 20 vjetët e ardhshme qytetarët do të zgjedhin të blejnë energjinë diku tjetër më lirë dhe prapë obligohen përmes taksave t’ia blejnë energjinë prodhuesit të termocentralit ‘Kosova e Re’. Pra, sipas tij, a do të ishte e drejtë që edhe nëse nuk do të shfrytëzohej kjo energji prapë të paguhej nga qytetarët.

Duke iu përgjigjur Demit, ministri Lluka tha se ky termocentral është krijuar për të mbuluar energjinë bazë.

“Pra për të një siguri kombëtare për furnizim me energji, ajo e ka një kosto. Siguria kombëtare normalisht që importet mund të jenë më të ulëta gjatë verës sesa gjenerimi jonë, mirëpo importet gjatë dimrit mund të jenë shumë më të shtrenjta sesa gjenerimi jonë. Për ta pasur një stabilitet të energjisë brenda vendit ajo e ka një kosto, dhe kjo është kosto. Arsyetimi kryesor është që ne si vend dëshirojmë ta kemi furnizimin kombëtar me energji që duhet të gjenerohet nga brenda resurseve vendore dhe çdo gjë mbi këtë duhet ta gjenerojmë në format më të lira të mundshme”, ka potencuar Lluka.

Pronësia e termocentralit ‘Kosova e Re’ pas 20 vjetëve i transferohet tërësisht Qeverisë së Kosovës kurse jetëgjatësia e termocentralit është 40 vjet prej të cilave qeveria e Kosovës do ta ketë në menaxhim termocentralin për 20 vjet.

Ministri po ashtu potencoi se obligimi i tyre është që të sigurohen së kostoja e kapitalit për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’ të jetë sa më e ulët.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka Lluka përsëri në fund të konferencës ka kërkuar falje që kontrata u publikua me 2 javë vonesë.

“Besoj që ky projekt është zvarritur qe 13 vjet, prandaj besoj që është e falshme”, ka theksuar Lluka.

Para disa ditësh Krypometri e ka matur deklaratën e ministrit Lluka kur ka premtuar që kontrata do të publikohet në fund të vitit 2017 duke e klasifikuar atë si gënjeshtër.

Premtimi i Thyer për Publikimin e Kontratave për Termocentralin e Ri

Por Krypometri i KALLXO.com e ka bërë një vlerësim të ri për premtimin e mbajtur për publikimin e kontratave, meqë ministrin Lluka, edhe pse me vonesë, e ka publikuar kontratën më të shtrenjtë të realizuar ndonjëherë në Kosovë.

Fjala e Mbajtur për Publikimin e Kontratave për TC ‘Kosova e Re’